Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se Procesi i Berlinit është një iniciativë që si ide përmbajtjesore ka integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, mesazhi që i është dhënë Kosovës dhe Serbisë ka qenë i pritshëm.
Haliti ka deklaruar në emisionin "60 Minuta" në KTV se BE-ja ka ende nevojë të përballet me situatën në veri të Kosovës.
“Sa më shumë që Kosova vonohet në dialog, aq më keq. Dialogu nuk bëhet në Kralevë, por në Bruksel, pra në qendër të Evropës. Po pati vullnet të mirë të BE-së dhe SHBA-së do të mund të vazhdohej me implementimin e marrëveshjes mes dy vendeve. Vendimmarrja në Evropë nuk është e shpejtë. Çështja e sanksioneve, fatkeqësisht janë marrë kundër Kosovës pa ndodhur ngjarja në veri”, ka thënë ai.
Vendosja e masave ka qenë proces që e ka dënu kryeneçësinë e kryeministrit Albin Kurti.
Edhe
Haliti: Marrëveshjet duhet të zbatohen, pavarësisht çka flasim për interesa elektorale
Sipas tij, tash është me rëndësi që të kryhet hetim për ngjarjet në veri dhe të mos merret askush me propagandë.
Haliti ka thënë se edhe Bashkimi Evropian po merret me hetimin e ngjarjeve në veri dhe në fund do të dalë me raport.
“Institucionet e Kosovës duhet të dalin me raport se çfarë ka ndodhur. Të gjithë e dinë që Serbia ka pasur gisht në ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë. Vuçiqi e ka shfajësuar njëherë Radojçiqin. Armatimi që është kapur është shumë pak me atë që ndodhet realisht në veri. Besoj Policia do ta kryejë punën e saj. Në veri ka pasur armatim nga lufta, por ky që është kapur është i ri. Njësitë që janë përgatitur, ushtrimet i kanë kryer në Rashkë”, ka thënë ai.
Sipas tij, masat që mund t’i marrë Kosova për të parandaluar sulmet e mundshme në veri, janë të kufizuara.
Ka shtuar se kur popullata serbe është e gatshme për të hyrë në zgjedhje dhe të përfundohen procedurat tjera, kryetarët aktual duhet të japin dorëheqje.
Haliti ka thënë se kryetarëve aktual dhe drejtorëve në komunat veriore, do të duhej t’u garantoheshin pagat për aq sa e kanë pasur mandatin.
Derisa ka folur për punën e Kuvendit, ai ka thënë se ka kërkesë nga opozita që të shpërndahet Kuvendi dhe të japë dorëheqje Qeveria.
Edhe
Haliti: Kurti e ka një zar në xhep, vetëm sa nuk tha që LDK-ja do të na mbështesë
Ka vlerësuar se Qeveria Kurti është “hermetikisht e mbyllur”.
“Nuk është e mirë për demokracinë e Kosovës që Kurti vendos kushte për t’iu përgjigjur pyetjeve të opozitës. Opozita nuk e ka për obligim që të votojë gjithçka që dëshiron Kurti”, ka thënë ai.