Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haliti: Nëse bëhet president një figurë e VV-së, atëherë vendoset diktaturë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se nëse një figurë e Vetëvendosjes bëhet president i Kosovës, atëherë kjo nënkupton vendosje të diktaturës.

Në “Interaktiv” të KTV-së, Haliti ka thënë se nuk beson që partia e tij mbështet ndonjë figurë të VV-së për president.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Nëse ka pajtueshmëri në PDK që Konjufca të jetë president ne do ta votojmë krejt, por nuk e besoj që PDK-ja pajtohet që president i Kosovës të jetë një figurë politike e  VV-së. Sepse VV-ja po vendos diktaturë këtu. Një parti të gjitha institucionet e shtetit”, ka thënë ai.

Haliti ka thënë se PDK-ja është e gatshme që të bisedojë me Lëvizjen Vetëvendosje për çështjen e presidentit brenda afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, ai ka thënë se emri i presidentit të ri duhet të burojë nga tavolina me katër partitë parlamentare shqiptare.

“Po s’pati kompromis është vështirë që të zgjidhet presidenti. Duhet (kompromis) i gjithanshëm. Të paktën nga katër partitë në parlament ose katër grupet parlamentare duhet të kenë dakordësi për emrat. Mendoj se Albini ka problem se kush është kandidati. Ai e kërkoi kandidatin dhe ne nuk i dhamë emra. Por mendoj se emrat duhet të burojnë në tavolinën e bisedimeve ku janë katër parti. E di se të gjithë kanë dëshirë të kenë kandidatin e vet nga partitë e tyre”, ka thënë ai.

Sipas Haliti, presidenti i ri duhet ta ketë të qartë që duhet të zbatojë vetëm detyrën e tij dhe “të mos përpiqet të jetë konkurrent i Qeverisë dhe kryeministrit”.

Ai ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka pasur betejë me kryeministrin dhe ministren e Jashtme dhe ka menduar më shumë për veten dhe për një mandat të dytë.

“Kryeministri detyrën e vet, e presidentja ka pasur betejë pak me kryeministrin e shumë me ministren e Jashtme. Në këto rrethana edhe tendenca për t’u zgjedhur prapë e kur i ke përplasjet në këtë nivel, përpos opozitës, i ka krijuar disfavore”, ka shtuar ai. “Nuk mundet presidenti i shtetit të flasë në emër të Kosovës në kundërshtim me politikat e Qeverisë. Nuk e di a ka ndodhur. Por ne kemi parë qëndrimet e Qeverisë, Albinit, të presidentes jashtë dhe kur u kthye brenda. Nuk mendoj se një president mund të mendojë keq për Kosovën, por ka menduar shumë për veten, ka menduar shumë për mandatin e dytë dhe ka bërë veprime pas përplasjeve me Donikën”.

Haliti ka thënë po ashtu se Gjykata Kushtetuese me vendimet që po merr po bën rishkrim të Kushtetutës.

Kuvendi ka afat deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri – ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Afati u caktua nga Gjykata Kushtetuese me një vendim të javës së shkuar, duke e shpallur të pavlefshëm një dekret të presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin. Osmani pati nxjerrë dekretin me arsyetimin se Kuvendi ka pasur afat deri më 5 mars për ta zgjedhur presidentin – një muaj para fundit të mandatit të saj. E Kushtetuesja më 25 mars vendosi që Kuvendi ka edhe 34 ditë afat për të zgjedhur presidentin – duke konstatuar se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen ka nisur më 5 mars kur Kuvendi nuk hodhi në votim kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe të Fatmire Mulhaxhës së Vetëvendosjes, për shkak të mungesës së kuorumit.

E kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se për çështjen e presidentit është në kontakt me dy udhëheqësit e partive më të mëdha opozitare dhe ka paralajmëruar takime me ta në javën e ardhshme.

Kurti kishte zhvilluar takime të ndara me Hamzën dhe Abdixhikun edhe para se çështja të dërgohej në gjykatën më të lartë në vend dhe para se ajo të nxirrte aktgjykimin.

Megjithatë, këto takime nuk prodhuan ndonjë rezultat.

Osmani pati shprehur ambicie edhe për mandatin e dytë, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të dështimit do të vazhdojë angazhimin politik. Asaj i përfundon mandati të shtunën. Detyrën pritet ta dorëzojë gjatë ditës te kryeparlamentarja Albulena Haxhiu që do të jetë ushtruese detyre e presidentes.