Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Halimi: Ndarja prej 100 eurove, veprim populist dhe mirëmbajtje e varfërisë

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se ndarja prej 100 eurove nga Qeveria për fëmijët dhe pensionistët është veprim populist dhe mirëmbajtje e varfërisë.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Halimi ka thënë se 60 milionë eurot e ndara për këto shtesa do të mund të ndaheshin për investim më strategjik të luftimit të varfërisë.

“Dhënia e këtyre shtesave për kategorinë e fëmijëve dhe pensionistëve është më shumë mirëmbajtje e varfërisë sesa një zgjidhje e problemit me të cilën po ballafaqohen kategori të ndryshme shoqërore në vend. Realisht kjo qasje e Qeverisë në luftimin e varfërisë në mënyrë të përkohshme është më shumë një përpjekje për të blerë paqen me qytetarët e Kosovës sepse në mungesë të investimeve kapitale, të investimeve konkrete për të ndryshuar jetën e tyre, herë pas here po bën veprime të tilla. Nëse konsiderohet që rreth 60 milionë euro janë dhënë në këto shtesa, si është e mundur që 60 milionë euro nuk janë paraparë në një investim më strategjik të luftimit të varfërisë në vend. Po më duket më shumë që është veprim populist i Qeverisë Kurti sesa një veprim që vërtetë qytetarët kanë nevojë për një intervenim të tillë të varfërisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, sa herë që në Kosovë po ndodh një ngjarje për të cilën Qeveria nuk po arrin të përgjigjet, po bën veprime të tilla që mbulojnë këto çështje që do të duhej të trajtoheshin.

“Sa herë që në shoqërinë tonë po ndodh një aferë e caktuar, apo një ngjarje shumë e madhe për të cilën Qeveria Kurti nuk po arrin të përgjigjet, faktikisht po bën veprime të tilla vetëm për ta mbuluar një çështje të madhe që do të duhej ta trajtonte më gjerësisht. Para disa ditëve para se të planifikoheshin shtesat, doli informata nga instituti GAP që investimet kapitale të Qeverisë u janë drejtuar komunave që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur ajo.