Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Halimi i reagon Kurtit: Diplomacia kosovare është në qorrsokak

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka reaguar pas mburrjes së kryeministrit Albin Kurti me sukseset në politikën e jashtme.

Halimi ka thënë se diplomacia kosovare është në qorrsokak.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, zëdhënësja e LDK-së ka thënë se Kurti duhet të punojë për t’i hequr sanksionet e vendosura nga faktori ndërkombëtar, e jo të lavdërohet për sukseset në diplomaci.

“Është kundër logjikës të lavdërohesh për suksese në diplomaci, në një kohë kur Kosova është nën masa shtrënguese, pikërisht nga aleatët e saj. E kryeministri Kurti, në vend se të lëvizë në kahun e duhur për t’ia hequr sanksionet që i prekin drejtpërdrejt qytetarët kosovarë, ai shfaqet me krekosje! Nëse i kujtojmë gafat e panumërta të zëvendëskryeministres Gërvalla në deklaratat e saj të pamatura dhe të dëmshme për vendin, atëherë mund të konkludojmë se diplomacia kosovare është në qorrsokak”, ka shkruar ajo.

Halimi ka vlerësuar se është absurditet të cilësohet si sukses aplikimi në organizata ndërkombëtare.

“Në dy vite e gjysmë mandat, nuk patëm asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. E ta cilësosh aplikimin për sukses është absurditet”, ka thënë ajo.