Të mjerë dhe të rrezikshme e ka cilësuar gjendjen diplomatike të Kosovës, zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, pas deklarimit të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, se Bashkimi Evropian është “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë, pa NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Përderisa Kosova po përjeton ditët e zymta nën sanksionet e BE-së, çohet një ministre nga Kosova, që për fat të keq të shtetit të ri - qëlloi të mbajë postin e krye diplomates - dhe i kërkon llogari BE-së për sigurinë. Thuajse blloku i vendeve evropiane i detyrohet personalisht zonjës Gërvalla-Schwarz!?” ka shkruar Halimi në Facebook.
“Ajo e godet BE-në si ‘një tigër prej letre’ duke aluduar se BE-ja u dashka t’i jap siguri Kosovës dhe eventualisht të hyjë në luftë për të!? E zhytur në pikëpamje iluzive të një bote paralele, mori përgjigje të merituar nga emisarët Lajcak e Escobar. I pari ia kujtoi kryediplomates kosovare se nuk ekziston një BE tjetër pos kësaj (nuk ka një BE sipas botës paralele të VV-së!) kurse i dyti ia përkujtoi asaj se vendet e NATO-s që kanë braktisur popullizimin dhe nacionalizmin janë plotësisht të lira dhe të sigurta. Escobar sikur i tha rrini ju në lloqin e rivaliteteve ballkanike!? E mjerë kjo gjendje diplomatike e Republikës së Kosovës dhe e rrezikshme!” ka shtuar Halimi në reagimin e saj.
Gërvalla të shtunën në Forumin e Dubrovnikut u shpreh se BE-ja nuk ka vullnet politik për të ofruar siguri si dhe ka shumë mospajtime brenda.
Ndaj saj, patën përgjigje në këtë forum emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që u shpreh se BE-ja mund të mos jetë e përsosur, por shtoi se “është më i miri union që ekziston”, ndërsa Gabriel Escobar, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, u shpreh se “të gjitha zhvillimet pozitive të gjeneratës kanë ndodhur për shkak të bashkëpunimit evropiano-amerikan”.
-
Gërvalla e quan sërish BE-në tigër prej letre, sfidon ata që e kritikuan
-
Opozita e kritikon ashpër deklaratën e Gërvallës e cila e quajti BE-në tigër prej letre
-
“Tigri prej letre” nxit reagimet e emisarëve e të opozitës
-
Çitaku e konsideron papërgjegjësi e injorancë deklaratën e Gërvallës për BE-në
-
Gërvalla: Pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është “tigër prej letre”