Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka akuzuar Qeverinë se ka kontribuuar në rezultatet e dobëta të nxënësve kosovarë në testin ndërkombëtar PISA.
Ajo ka thënë se ekzekutivi nuk ka nisur asnjë reformë domethënëse dhe ka bërë që të humben shumë orë mësimi me grevat, të cilat sipas saj, mund të shmangeshin.
“Për më tepër, Qeveria Kurti vetëm sa i ka kontribuar këtij dështimi duke mos nisur asnjë reformë domethënëse si dhe duke humbur shumë orë mësimi me grevat që mund të shmangeshin. Ky rezultat duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për institucionet, që të merren më seriozisht me këtë sektor përcaktues për të ardhmen e të rinjve dhe vet shtetit tonë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Halimi më tej ka krahasuar rezultatet e Kosovës me ato të Ukrainës, vend ky që është renditur më lartë në listë edhe pse sipas saj, është gati që dy vjet në luftë.
“Rezultatet më të fundit të Kosovës në testin PISA janë dëshpëruese! Në matematikë, shkencë e lexim, nxënësit tanë renditen në fund, në një rang me vende si Kamboxhia e Uzbekistani. Shumë më mirë se ne qëndron madje edhe Ukraina që është gati që dy vite në luftë?! Prandaj një vend që nuk e ka sistemin arsimor të etabluar, vështirë të prosperojë, ngase analfabetizmi funksional derivon shumë ngecje tjera shoqërore, si mungesë zhvillimi ekonomik e inflacion galopant si dhe vetëdije e ultë për shtetin”, është shprehur ajo.