Regres është sinonimi që i është faturuar sistemit arsimor, nga raporti i “PISA 2022”, testim ky që organizohet çdo tri vjet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD. Rrëshqitja e vazhdueshme e 15-vjeçarëve në këtë test nuk e alarmoi shtetin për të ndërmarrë veprime drejt trajtimit të sistemit arsimor si urgjencë kombëtare
Regres është sinonimi që i është faturuar sistemit arsimor nga raporti “PISA 2022”, që u publikua në fillimdhjetorin e 2023-s.
Të tretën radhë që nga pjesëmarrja e parë më 2015 në testimin ndërkombëtar të dijës, që organizohet çdo tre vjet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), pesëmbëdhjetëvjeçarët nga Kosova u renditën përsëri ndër të fundit nga mesi i bashkëkohanikëve prej 80 shteteve të botës. Dolën të 74-tit në matjen e njohurive në fushën e matematikës, të 76-tit në lexim e në shkencë të 77-tit. Në këtë kategori, i lanë pas vetes vetëm moshatarët nga Filipinet, Guatemala, El Salvadori, Republika Dominikane, Paraguai dhe Kamboxhia.
Në krahasim me testimin e 2018-s, është shënuar regres veçmas në lexim dhe në të kuptuar. Raporti “PISA 2022” thekson se 83 për qind e nxënësve nuk kanë arritur ta kuptojnë një tekst me gjatësi mesatare. Pasoja, të mësuarit mekanik.
Regres u shënua edhe në fushën e njohurive të matematikës, në të cilën, sipas raportit, 85 për qind e pjesëmarrësve në test nuk mundën të zgjidhnin një detyrë të thjeshtë.
Ky regres në arsim nuk ka shërbyer si kambanë alarmi për shtetin.
javë pas publikimit të tij, kryeministri Albin Kurti tha se rezultati në testin PISA tregon se ka ende shumë punë për t’u bërë në arsim dhe shtoi se është duke u punuar për reformimin e sistemit.
E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, fajin e gjeti midis pandemisë COVID-19 e ndërrimeve të shpeshta të pushtetit.
“Pandemia u ka shkaktuar sfida kryesore mësimdhënësve tanë dhe shkollave në vështirësi në implementimin e teknologjisë”, tha ajo, në konferencën për media të mbajtur ditën kur u kumtuan rezultatet. “Kësaj i shtojmë faktorët e tjerë, siç kanë qenë ndërrime të shumta që kanë ndikuar në politikëbërje, pra, ndryshime të shumta të qeverisjeve”.
Mosalarmimi i shtetit
24 vjet që pas luftës, shteti nuk ka arritur të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm arsimor, në të cilin Ministria e Arsimit do të përqendrohej në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive për politikëbërje, mbështetje dhe mbikëqyrje, ndërsa drejtoritë komunale të arsimit, në zbatimin e tyre.
Petrit Tahiri, drejtor në Qendrën për Arsim, thotë se ky dështim e ka fillin te mungesa e komunikimit dhe e harmonizimit të veprimeve mes MASHTI-it dhe drejtorive komunale të arsimit.
“Mendoj që në këtë momentum në të cilin tani jemi, me këto rezultate, do të duhet të qartësoheshin mirë e drejt përgjegjësitë”, tha ai, tek ua barti institucioneve politikëbërëse përgjegjësinë për dështimin e realizimit të një sistemi efektiv edukativo-arsimor. “E kemi elefantin në derë dhe duhet të flasim. Institucionet, akterët bartës të funksionimit të sistemit arsimor duhet të krijojnë një ide se ku duam të shkojmë në 15 vjetët e ardhshëm”, shtoi ai.
Para marrjes së pushtetit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) u pati zotuar që t’i analizojë dhe t’i trajtojë rezultatet e nxënësve në testimin paraprak të PISA-s.
“Është për ne e rëndësishme që testin e ardhshëm të PISA-s ta kalojmë me sukses, sepse kemi mësuar e jo sepse jemi përgatitur enkas për testin e PISA-s”, pati deklaruar kryeministri Kurti më 2017, me rastin e vizitës në një nga shkollat e kryeqytetit.
E një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), i përpiluar më 2022, pati evidentuar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim për t’i identifikuar shkaqet e rezultateve të ulëta të nxënësve në testet ndërkombëtare. Raporti gjeti se analizat e pranuara nga ekipi auditues i Ministrisë së Arsimit patën mangësi.
“Në raportet e Ministrisë nuk përfshihen shkaqet, efektet apo rekomandimet që adresojnë rezultatet në nivel kombëtar dhe që ndikojnë në eliminimin e mangësive në sistemin e arsimit”, theksohej në raportin e ZKA-së.
Ministrja Nagavci, pas tre vjetësh në detyrë, paralajmëroi se më 2024 do të formohet një grup punues në Fakultetin e Edukimit për t’i analizuar rezultatet e testimeve ndërkombëtare. Me gjithë rezultatet që e shpërfaqën problemin kronik me të cilin përballet sistemi arsimor, nuk pati veprime institucionale që e reflektojnë nevojën dhe gatishmërinë për reagim urgjent. Në adresimin për rezultatet, një javë pas daljes së tyre, kryeministri Kurti tha se këto probleme kronike nuk mund të gjejnë zgjidhje të përnjëhershme.
“Jemi të shqetësuar me rezultatet e testit PISA për vendin tonë, të cilat treguan për defekte strukturore e kronike të sistemit arsimor që shtrihen gjatë në të kaluarën e shoqërisë sonë dhe nuk do të mund të rregullohen as përnjëherë, e as shpejt”, tha ai në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë.
Por këto rezultatet nuk e tërhoqën vëmendjen e Ekzekutivit për t’u trajtuar si urgjencë kombëtare, siç ndodhi më 2022, kur Qeveria e themeloi Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, shkaku i vlerësimit se gjendja në sektor është e rënduar dhe kërkon veprim urgjent.
Mungesa e gatishmërisë për trajtimin e problemeve që i shpërfaqi testi PISA është reflektuar edhe në hapësirën e paktë që i është kushtuar çështjes në Strategjinë e Arsimit për vitet 2022-2026. Në këtë dokument, ngecjet e evidentuara në arritshmërinë e ulët të nxënësve në lexim janë përmendur veç në hyrje, në trajtën e brengës së veçantë. E dokumenti përbën udhërrëfyesin për përmirësimin e cilësisë në arsim gjatë katër vjetëve të ardhshëm.
Brenga për të ardhmen
Rrugëtimi nëpër një sistem arsimor që nuk garanton zhvillim intelektual, nxënësve u ka krijuar pasiguri për të ardhmen.
Sara Çeshko, përfaqësuese e nxënësve të Prishtinës në kuadër të Këshillit të Nxënësve të Kosovës, thotë se brengë kryesore e saj dhe e bashkëmoshatarëve është ngecja në marrjen e njohurive të nevojshme dhe në zhvillimi maksimal të shkathtësive.
“Na frikëson kjo, pasi në momentin që ne kërkojmë arsimim më të lartë në shtetet e tjera të botës, e krahasojmë me sistemin atje dhe ne jemi shumë prapa. Këtë e kanë treguar edhe rezultatet e testit PISA, edhe pse nxënësit nuk janë shumë të përkushtuar. Ka mangësi edhe nga Ministria e Arsimit”, thotë shtatëmbëdhjetëvjeçarja, nxënëse e gjimnazit “Xhevdet Doda” në kryeqytet.
Potencialin maksimal në PISA nuk e ka arritur pothuajse asnjë nxënës që iu nënshtrua testimit, të përqendruar në matjen e njohurive në matematikë.
Nga rreth 7 mijë nxënës sa u testuan, vetëm 15 për qind arritën të dalin në nivelin e dytë, nga gjashtë sa janë në total. Për të arritur në nivelet 5 apo 6, nxënësit duhet të jenë të aftë të zgjidhin matematikisht situata komplekse, të krahasojnë dhe të vlerësojnë strategjitë e duhura të zgjidhjes së problemeve për t'i trajtuar ato.
E shkaku i atyre që i quan defekte të sistemit arsimor, gjimnazistja Çeshko thotë se nxënësit i kthejnë sytë nga shtetet perëndimore.
“Çdo i dyti a i treti në gjimnazin tonë mendon të shkojë jashtë vendit. Dëshirojnë që të paktën të kenë një arsim cilësor në fazën e universitetit”, shprehet ajo.
Frika për mungesë të perspektivës arsimore në Kosovë i përcjellë edhe prindërit.
“Përgjithësisht prindërit në Kosovë ka shumë vite që e manifestojnë frikën e mungesës së perspektivës nga sistemi arsimor në Kosovë, duke u larguar nga vendi”, thotë Jeton Demi, baba i dy fëmijëve që procesin mësimor e vijojnë në shkollën fillore dhe të mesme të ultë “Shkolla e Gjelbër” në Prishtinë.
Alarmi i mungesës së leximit
Në testimin për matematikë, që është bërë në maj të vitit të 2022-s, 15-vjeçarët nga Kosova shënuan ngecje në detyra që përkojnë me krahasimin e distancës së përgjithshme mes dy rrugëve alternative apo në konvertimin e parave në valuta të ndryshme. Në një detyrat atyre iu kërkua të gjenin përqindjen, bazuar në një figurë të paraqitur. Figura ishte një trekëndësh i madh dhe brenda tij ishin të vendosur dhjetë trekëndësh të vegjël me ngjyrë të kuqe dhe gjashtë trekëndësh me ngjyrë të kaltër. Detyra kërkonte që nxënësit të tregonin se sa është përqindja e trekëndëshve të kaltër. E si përgjigje i kishin katër opsion: a) 37.5%, b) 50.0%, c) 60.0% dhe d) 62.3%.
Ngecjet u evidentuan edhe në lexim dhe në të menduarit logjik, hallkë kjo e domosdoshme midis të lexuarit dhe të kuptuarit. Vetëm 7 për qind e nxënësve arritën në nivelin më të lartë në fushën e leximit.
“Këta nxënës kanë arritur të kuptojnë tekste të gjata, të merren me koncepte që janë abstrakte dhe të arritur të bëjnë dallimin mes faktit dhe opinionit”, është thënë në raport.
Skender Halimi, drejtor në shkollën “Hilmi Rakovica” në Prishtinë e që ishte administrator në një nga testet PISA, tregoi se si nxënësit kanë ngecur në të menduarit analitik.
“Në fillim të tekstit ka qenë kopertina e romanit ku shkruan autori, titulli i romanit dhe shtëpia botuese në fund. Pas kësaj kanë pasur të lexojnë një tekst dhe pyetja në fund për atë faqe që e kanë lexuar, ka qenë shumë e thjesht: Kush ishte autori? Si quhet romani dhe kush është shtëpia botuese?. Shumica e fëmijëve tonë e kanë kaluar këtë pjesë, duke u munduar me e gjet (përgjigjen v.j.) te teksti që e kanë lexuar. E përgjigja ka qenë qysh në faqen e parë”, shpjegon ai.
Në Kornizën Kurrikulare të Kosovës, e cila është miratuar më 2017, këto probleme trajtohen nëpërmjet kompetencave kryesore të nxënies së dijes, që janë të menduarit dhe komunikimi.
Halimi thotë se moszbatimi i planprogramit është një nga arsyet përse mësimi analitik po anashkalohet.
“Me dokumente jemi shumë mirë, mirëpo me zbatim jemi shumë mbrapa”, thotë ai. “Kur i shohim notat në vlerësim të fëmijëve, është shumë mirë, kurse kur vjen te vlerësimi ndërkombëtar, pikërisht te kjo pjesë ngecim”, shton Halimi.
Kurrikula parasheh që nxënësit të obligohen që të paktën një herë në muaj të lexojnë nga një libër.
Por gjimnazistja Çeshko thotë se ky program nuk respektohet nga stafi arsimor.
“Besoj që një nga faktorët pse ne nuk e kemi të zhvilluar kulturën e leximit është edhe neglizhenca e arsimtarëve. Është e vërtetë që ka profesorë shumë të mirë, mirëpo besoj që duhet të bëhet ritestimi i tyre, dhe sidomos që profesorët dhe arsimtarët të punojnë shumë me nxënësit e tyre”, thekson ajo.
Bazuar në një hulumtim të kryer nga organizata për arsim ETEA, 70 për qind e nxënësve nëpër shkolla të mesme dhe të larta nuk arrijnë t’i numërojnë as tre tituj të librave që kanë lexuar gjatë tërë jetës.
“Këtu një rol kyç e kanë edhe familjet, shkathtësitë ose ideja e parë për të nxitur një kulturë të leximit rrjedh nga familja. Pastaj, duke e konsideruar si vlerë procesin e të lexuarit, bie shkolla që duhet ta mirëmbajë atë kulturë, por që nuk është në nivelin e duhur”, thotë Agon Ahmeti, drejtor në ETEA.
Rinor Qehaja, drejtor në institutin për arsim “EdGuard”, e sheh si të domosdoshëm ndryshimin e metodologjisë së mësimdhënies.
“Duhet të presim dekada më tutje që t’i ekspozohen mësimdhënies që nxit logjikën në mënyrë që të presim një rezultat më të mirë, mirëpo kjo nuk vihet pas katër vjetësh, as nuk do të vijë pa reagim të fuqishëm institucional”, shprehet ai.
Mungesa e materialeve mësimore në epokën e digjitalizimit
Infrastruktura shkollore rezultoi se ka një ndikim në nivelin e performancës që nxënësit treguan në testim. Shtetet që përballen me mungesë të hapësirave shkollore të ndara enkas për rekreacion si dhe të dhomave me pajisje laboratorike, treguan rezultate më të dobëta.
Në Kosovë, dy nga çdo tre nxënës thonë se kanë vijuar mësimet nëpër shkolla në të cilat ka pasur vështirësi për sigurimin e materialeve mësimore dhe të pajisjeve teknologjike.
E kjo situatë e rriti përqindjen e nxënësve të pakënaqur me sistemin arsimor të cilin e vijojnë. Sipas raportit të PISA-s, në vitin 2018 kjo përqindje ishte 9, ndërsa në rezultatet e fundit është rritur në 12 për qind.
Maturantja Çeshko në gjimnazin “Xhevdet Doda” thotë se kjo pakënaqësi e ka burimin edhe te pamundësia për t’i zhvilluar talentet.
“Ka shumë nxënës edhe te ne që janë pjesëmarrës edhe në gara ndërkombëtare dhe e përfaqësojnë vendin denjësisht, mirëpo shkaku i projekteve që po zhvillohen të dobëta në shkollë, nuk po kemi mjete as nga Ministria dhe me një farë mënyrë nuk po arrijmë të paraqesim potencialin tonë”, thotë ajo.
E sipas Demit, shkollat janë shndërruar në hapësira të mërzitshme për nxënësit dhe se këtë institucionet vendimmarrëse nuk janë të interesuara që ta ndryshojnë.
“Përveç disa tentimeve sporadike e jo jetëgjata, kjo ende ngelet një ëndërr. Sepse projekte të tilla nuk mund të realizohen nga shkollat individualisht, në formatin aktual të qeverisjes së shkollave publike. Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës nuk brengosen seriozisht”, shprehet ai.
Në periudhën e shpërthimit digjital, procesi mësimor në klasa zhvillohet në mënyrë klasike. Shkumësi është ende mjeti kyç për zhvillimin e një ore mësimore. Institucionet arsimore ende përballen me mungesë të mjeteve teknologjike, me gjithë që digjitalizimi është një nga pikat kryesore të Strategjisë së Arsimit. Numri i kompjuterëve që posedojnë shkollat është i vogël për numër nxënësish. Sipas të dhënave të Sistemit të Menaxhimit të Informatave në Arsim, një kompjuter është për 35 nxënës.