Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar të mërkurën se janë duke punuar për të një masë ligjore rreth produkteve bazike. Caktimi i marzhës së fitimit ose çmimet tavan janë njëra nga dy opsionet që MINT-i po i shqyrton.
Sipas Hajdarit, një grup i dytë punues në kuadër të Ministrisë po analizon të gjithë situatën në treg dhe shumë shpejt do të marrin vendimin nëse bizneseve do t’u caktohet marzha tregtare e fitimit apo çmime tavan për produktet bazike.
“Pas koncept-dokumentit të MINT-it me çmimet tavan të derivateve, kemi formuar edhe grupin e dytë punues për produktet esenciale. Këto produkte do të përfshihen në masë ligjore: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike. Do të analizojmë se cilën masë do ta marrim, a do të shkojmë me çmime tavan apo marzhë tregtare. Të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejt. Por se cilën masë do ta marrim, varet nga analiza e situatës. Do të marrim një masë që do të ndalojë spekulimet sepse jemi të informuar çdo ditë nga Dogana për çmimet furnizuese nga importi”, ka thënë Hajdari.
Për rritjen e çmimit të bukës në disa furra në disa qytete të Kosovës, ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se çmimi furnizues i importit i grurit dhe miellit ka pasur rënie që nga muaji maj.
“Ndonëse kemi rritje të çmimeve në disa furra, çmimet furnizuese të grurit dhe miellit janë kryesisht në rënie. 7% zbritje nga muaji maj prej të dhënave nga Dogana. Kjo evidencë është konfirmuar edhe nga grupi punues, që tregon se në disa furra ka dallime të larta në çmime. Me këtë situatë, ne në vazhdim të analizës nga rrjeti i operatorëve të shitësve me pakicë, shohim që kemi një dallim tepër të lartë. Marzha tregtare e fitimit ka qenë nga 4 deri 19 për qind”, ka thënë ajo.
Edhe
Pas naftës, Qeveria paralajmëron caktimin e çmimit tavan edhe për produktet bazike
Ditë më parë, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, propozoi hartimin e një projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazike. Megjithatë, propozimi ngeli aty.
Edhe pse deri sot s’pati hapa konkretë, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ishte shprehur se caktimi i marzhës tregtare është shkelje kushtetuese dhe ndërhyrje në ekonominë e tregut.
“Çdo ndërhyrje që është e pabazuar dhe bazohet vetëm në një situatë, vetëm në një moment kohor, apo që realisht ndikon drejtpërdrejt në konkurrencën e barabartë në treg, është edhe nga aspekti parimor, nëse e sheh qartë, shkelje kushtetuese”, pati deklaruar Rukiqi.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave, që janë ato të muajit maj, shkalla e inflacionit ka arritur në nivelin e 12.5 për qind, që është ndër nivelet më të larta në histori të shtetësisë.
Barra më e madhe e kësaj bie mbi qytetarët.
Edhe
Hajdari: Manipulimet me çmime po vazhdojnë
Qeveria kohë më parë pati marrë vendim për caktimin e çmimit tavan për derivate, gjë që ka ndikuar që çmimi i naftës dhe i benzinës të pësojë rënie të lehtë.
Rritja e çmimeve ka filluar qysh në kohën e pandemisë, e i ka dhënë hov ndikimi i agresionit rus ndaj Ukrainës.