Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haddad: Avancimi i Kosovës drejt BE-së i lidhur me zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit

Haddad - Konjufca

Foto e marrë nga profili i ministrit në detyrë të punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në Facebook

Ministri i deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad, ka theksuar se avancimi i Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare varet nga përmbushja e obligimeve ndërkombëtare, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe vazhdimin e reformave.

Në konferencën e përbashkët për media me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Haddad u pyet nëse bllokada institucionale në Kosovë mund të ndikojë në procesin e integrimit evropian.

Ai tha se Franca mbështet anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por theksoi se ky proces është kërkues dhe bazohet në përmbushjen e angazhimeve të marra.

“Ne e mbështesim integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Kjo është pjesë e projektit tonë më të gjerë për ribashkimin e Evropës. Ky proces është kërkues dhe bazohet në angazhimet ndërkombëtare”, ka deklaruar Haddad, raporton EO.

Sipas tij, një nga elementet kyçe është avancimi në zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit.

“Në këtë rast, ai bazohet edhe në avancimin e zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit. Po ashtu, mbështetet në parimin e meritës, që nënkupton reformat, përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Ne do të jemi shumë kërkues në këto fusha”, ka thënë ai.

Edhe Konjufca: Kosova ka zgjedhur Evropën, Franca mbetet partner i rëndësishëm Arbëri Konjufca: Kosova ka zgjedhur Evropën, Franca mbetet partner i rëndësishëm

Haddad ka deklaruar se kjo qasje nuk synon ta ngadalësojë procesin e integrimit të Kosovës, por ta ndihmojë vendin të përmbushë standardet e nevojshme.

“Ne do të jemi pranë Kosovës në çdo hap të këtij rrugëtimi, duke punuar së bashku për t’i bërë realitet këto ambicie dhe objektiva plotësisht legjitime dhe të arritshme. Besojmë se kjo është rruga drejt paqes dhe stabilitetit në kontinentin tonë”, u shpreh ministri francez.

Komentet Haddad i bëri pasi ai dhe Konjufca nënshkruan pesë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Lexo përditësimet tjera
Benjamin Haddad Glauk Konjufca Franca Kosova

Kosova nënshkruan pesë marrëveshje me Francën

(Tekst i përditësuar) - Kosova dhe Franca kanë nënshkruar të hënën 5 marrëveshje. Nënshkrimi është bërë...