Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

(Tekst i përditësuar) - Kosova dhe Franca kanë nënshkruar të hënën 5 marrëveshje. 

Nënshkrimi është bërë gjatë vizitës së ministrit për Evropë të Francës, Benjamin Haddad, i cili është pritur në takim nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Janë nënshkruar letërqëllimin për themelimin e Komunitetit kosovaro-francës për mbështetjen e organizmit të Lojërave Mesdhetare 2030, marrëveshjen administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, Marrëveshjen për ndihmë juridike të ndërsjellë në çështje penale, Marrëveshjen për ekstradimin dhe Marrëveshjen e kredisë me Agjencinë Franceze për zhvillimin e projektit për Lojërat mesdhetare. 

Katër marrëveshjet  e para janë nënshkruar nga Konjufca dhe Haddad, ndërkohë që e pesta është nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ministri francez Haddad.

Për marrëveshjet ka njoftuar edhe Ambasada e Francës në Kosovë. 

Ajo ka treguar detajet e marrëveshjeve. 

  • - Një hua investuese prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e ndërtimit të infrastrukturës së qëndrueshme për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 që do të shfrytëzohet edhe pas tyre. 
  •  
  • - Marrëveshja përfshin renovimin dhe zgjerimin e kampusit studentor të Universitetit të Prishtinës, si dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në 13 institucione arsimore në Prishtinë. Projekti plotësohet me grante në vlerë totale prej 1.2 milionë eurosh për përgatitjen dhe mbështetjen e fazës së zbatimit.
     
  • - Një letër qëllimi për Lojërat Mesdhetare 2030, që parasheh krijimin e një Komiteti Francë–Kosovë për zhvillimin e sektorit ekonomik francez të sportit në Kosovë. Gjithashtu do të krijohet një grup pune për rininë dhe sportin.
     
  • - Dy konventa për ndihmë juridike reciproke dhe ekstradim, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik.
  •  
  • - Një marrëveshje administrative për forcimin afatgjatë të mësimit të gjuhës frënge në Kosovë dhe nxitjen e mobilitetit dhe shkëmbimeve arsimore.
     

Ministëri për Evropë i Francës, Benjamin Haddad, po qëndron për vizitë në Kosovë. 

Ai është pritur në takim nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Haddad, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë, të dielën në mbrëmje është prtuar nga kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj.

Zulfaj i deleguar në këtë takim nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka theksuar se Kosova qëndron në solidaritet me Francën, e cila po përballet me zjarret e mëdha pranë Bordosë.

“Mirë se vini në Republikën e Kosovës, ministër Benjamin Haddad! Është kënaqësi t’ju mirëpresim në vizitën tuaj të parë zyrtare. Kosova qëndron në solidaritet me Francën, teksa ajo po përballet me zjarret e tmerrshme pranë Bordosë”, shkroi Zulfaj në “X”.

Kurti: Marrëveshjet e nënshkruara forcojnë marrëdhëniet me Francën

1 muaj më parë / 27 kor 2026 18:18
Kurti - Haddad

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e priti në takim ministrin e Deleguar për Evropën të Republikës Franceze, Benjamin Haddad.

Duke përmendur se sot janë nënshkruar pesë marrëveshje mes Kosovës dhe Francës, ai tha se ato thellojnë bashkëpunimin dypalësh në disa fusha kyçe.

“Vizita e sotme e Ministrit Haddad vjen në vazhdën e drekës së punës që zhvillova me Presidentin Emmanuel Macron më 17 mars në Pallatin Elize dhe të angazhimit tonë të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Sot, ky angazhim u konkretizua me nënshkrimin e pesë marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Francës. Marrëveshja për ekstradim dhe Marrëveshja për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve tona të drejtësisë, në luftimin e krimit dhe sigurimin e llogaridhënies. Marrëveshja e kredisë prej 60 milionë eurosh dhe themelimi i Komitetit Francë–Kosovë do të mbështesin investimet infrastrukturore, përgatitjen dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, si dhe trashëgiminë e tyre afatgjatë. Ndërkaq, marrëveshja administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge zgjeron mundësitë për mësimin e saj dhe e afron më tej Kosovën me hapësirën frankofone”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti tha se me ministrin Haddad diskutuan “për integrimin evropian të Kosovës, sigurinë rajonale, bashkëpunimin ekonomik dhe thellimin e partneritetit dypalësh”. Tha se ia kërkoi “mbështetjen e Francës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”.

“E falënderova Ministrin Haddad për vizitën dhe për angazhimin e tij në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Marrëveshjet e nënshkruara sot dëshmojnë se partneriteti ynë po shndërrohet gjithnjë e më shumë në projekte, investime dhe rezultate konkrete për qytetarët e Kosovës”, shkroi ai./KSP

Haddad: Avancimi i Kosovës drejt BE-së i lidhur me zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Brukselit

1 muaj më parë / 27 kor 2026 10:58
Haddad - Konjufca

Foto e marrë nga profili i ministrit në detyrë të punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në Facebook

Ministri i deleguar për Evropën i Francës, Benjamin Haddad, ka theksuar se avancimi i Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare varet nga përmbushja e obligimeve ndërkombëtare, përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe vazhdimin e reformave.

Në konferencën e përbashkët për media me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, Haddad u pyet nëse bllokada institucionale në Kosovë mund të ndikojë në procesin e integrimit evropian.

Ai tha se Franca mbështet anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, por theksoi se ky proces është kërkues dhe bazohet në përmbushjen e angazhimeve të marra.

“Ne e mbështesim integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Kjo është pjesë e projektit tonë më të gjerë për ribashkimin e Evropës. Ky proces është kërkues dhe bazohet në angazhimet ndërkombëtare”, ka deklaruar Haddad, raporton EO.

Sipas tij, një nga elementet kyçe është avancimi në zbatimin e obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit.

“Në këtë rast, ai bazohet edhe në avancimin e zbatimit të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit. Po ashtu, mbështetet në parimin e meritës, që nënkupton reformat, përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Ne do të jemi shumë kërkues në këto fusha”, ka thënë ai.

Haddad ka deklaruar se kjo qasje nuk synon ta ngadalësojë procesin e integrimit të Kosovës, por ta ndihmojë vendin të përmbushë standardet e nevojshme.

“Ne do të jemi pranë Kosovës në çdo hap të këtij rrugëtimi, duke punuar së bashku për t’i bërë realitet këto ambicie dhe objektiva plotësisht legjitime dhe të arritshme. Besojmë se kjo është rruga drejt paqes dhe stabilitetit në kontinentin tonë”, u shpreh ministri francez.

Komentet Haddad i bëri pasi ai dhe Konjufca nënshkruan pesë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Konjufca: Kosova ka zgjedhur Evropën, Franca mbetet partner i rëndësishëm

1 muaj më parë / 27 kor 2026 10:41
Foto: EO

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka thënë se Franca është një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë. 

Pas ceremonisë së nënshkrimit të pesë marrëveshjeve të bashkëpunimit me ministrin e Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, Konjufca ka deklaruar se gjatë takimit kanë diskutuar edhe për perspektivën evropiane të Kosovës. 

“Republika e Kosovës ka dëshmuar përkushtimin e palëkundur ndaj reformave demokratike, sundimit të ligjit dhe përafrimit të politikave të saj edhe të jashtme, edhe të sigurisë, me Bashkimin Evropian. Në një kohë kur Evropa përballet me sfida të mëdha të sigurisë, besueshmëria e projektit evropian varet nga një zgjerim më i shpejtë dhe i drejtë, e i bazuar në merita. Kosova ka bërë zgjedhjen e saj strategjike dhe zgjedhja jonë është Evropa, Bashkimi Evropian”, ka deklaruar Konjufca, raporton EO.

Ai tha se Republika e Kosovës ka dëshmuar përkushtimin e palëkundur ndaj reformave demokratike, sundimit të ligjit dhe përafrimit të politikave të saj edhe të jashtme, edhe të sigurisë, me Bashkimin Evropian.

“Franca, qysh prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka qenë dhe mbetet një partner i rëndësishëm i Republikës së Kosovës dhe shtyllë e projektit për integrimin evropian të vendit tonë. Jam i kënaqur se sot, së bashku me ministrin e Financave, Murati, së bashku me përfaqësuesin e Agjencisë Franceze për Zhvillim dhe me mikun tim, Benjamin, nënshkruam këto  pesë marrëveshje të rëndësishme, së bashku edhe me letrën e qëllimit, dhe kjo tregon që Franca dhe Kosova, përmes këtyre marrëveshjeve, po ngrenë në një dimension krejt të ri marrëdhënien e tyre dypalëshe”, është shprehur Konjufca.

Ai ka thënë se ministrit francez i ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, përfshirë edhe ndihmën e Francës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.