Hysni Gucati, kryetar i OVL të UÇK-së, ka kërkuar amnisti për veteranët e rremë që dorëzojnë vullnetarisht certifikatat.
Në Express Intervistën në KTV, Gucati ka kritikuar publikimin e listës me 20 mijë emrat të dyshuar për veteranë të rremë duke thënë se në mesin e tyre kanë parë së paku 4000 emra që ishin vërtetë luftëtarë të UÇK-së.
Për t’iu ikur zgjatjeve të shqyrtimit të 20 mijë emrave, Gucati ka kërkuar përsëritje të komisionit, tash me kontrolle më strikte, dhe amnisti për një periudhë të caktuar, që të dorëzohen ata që kanë marrë certifikatën e veteranit pa qenë veteran në të vërtetë.
“Duhet të ketë rikthim të komisionit. Të ketë kontroll strikt. Është mirë të përsëritet. Të punohet me afat më të shkurtër, sepse po të shqyrtohen 20 mijë lëndë do të shkojë deri në dhjetë vjet.Të ndërpriten të gjitha pensionet deri në fund të procesit e të kthehen retroaktiv më pas. Komisioni të përsëritet. Në Kroaci ka pas amnisti për ata që në mënyrë vullnetare kanë dorëzuar dokumentet. Të ketë amnisti në një periudhë të shkurtër për dorëzim, përndryshe të dënohen ata që kanë bërë shkelje e shteti të marrë masa drastike ndaj tyre”, ka thënë ai.
Gucati ka deklaruar se me publikimin e emrave të 20 mijë personave, si të dyshuar për veteranë të rremë, “Prokuroria e shtetit ka mbytur për herë të dytë veteranët”.
“Prokuroria ka bërë vrasje të dytë të veteranëve me publikimin e emrave, madje edhe të njerëzve që kanë luftuar e kanë ardhur nga Gjermania e gjithë Evropa për të luftuar në Kosovë. Jemi të vrarë dy herë. Fillimisht me veteranët fals dhe tash me publikimin e mbi 4000 emrave të pjesëtarëve të UÇK-së”, ka shtuar Gucati.
Sipas tij, duhet të hiqen sa më shpejtë emrat e pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së, e që gjinden në mesin e emrave të të dyshuarve për veteranë të rremë dhe që Prokuroria të kërkojë falje publike.
Edhe
OVL e UÇK-së thotë se mbi dy mijë veta u larguan nga lista e veteranëve
“Mbi 4000 veteranë kanë kontaktuar sot që ishin pjesë e këtyre listave. Janë bashkëluftëtarë të vërtetë e jo të rremë. Kam shumë bashkëluftëtarë që i njoh në mesin e këtyre listave. Nuk duhet të ndodhin këto gabime. Duhet tu vijë turp atyre”, ka deklaruar ai.
Gucati ka kërkuar edhe nga ish-prokurori Elez Blakaj, i cili akuzoi Prokurorinë se ka shtuar rreth 2000 emra në listën e mbledhur nga ai, që të publikojë listën dhe të tregojë ndërhyrjet. Gucati ka kritikuar Blakajn për lënien në gjysmë të kësaj çështjeje.
“E kam respektuar, dhe e kam njohur si njeri të guximshëm, por pse ka dezertuar tash jam befasuar. Ai ka lypur listat. Ne u kemi dhënë arkivin tonë. Kanë ardhur ekspertët për krime të rënda e i kanë marrë aplikacionet. Më vjen keq që e la punën në gjysmë. Më mirë ka qenë të mos merrte punën fare. I kisha bë apel të publikojë ai listën. Të dihet ku ka ndërhyrë prokuroria. Shoh gabim edhe te prokuroria. Të dhënat nuk duhet të publikohen. Është shkelje të drejtave të njeriut. Prokuroria apo gjykata ka bërë shkelje në momentin që ka publikuar emrat. Privatësia nuk publikohet në asnjë shtet në botë. I bëj thirrje ta publikojë listën dhe do ta ketë përkrahjen e veteranëve të vërtetë”, ka shtuar Gucati.
-
Mbi 600 të dyshuar për falsifikim të certifikatës së veteranit të UÇK-së
-
Gucati: Po të ndaleshin pensionet e veteranëve do të kishte reagime të ashpra
-
Gucatit i premtohet rritje e pensioneve të veteranëve, paralajmëron protesta nëse ato ndalen nga Gjykata
-
OVLUÇK-ja kërkon riverifikim të plotë të veteranëve