Arbëri

Gruda: Në Drenas gjatë ditës u evakuuan 20 familje

Drenas

Në Drenas dhe fshatrat përreth gjatë ditës janë evakuuar rreth 20 familje, ka njoftuar për “60 Minuta” në KTV drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencave i Komunës së Drenasit, Nexhmedin Gruda.

Gruda ka thënë se qendra e Drenasit, fshatrat Poklek i ri, Çikatovë e vjetër, Shtubullova dhe një pjesë e Tërstenikut kanë qenë më të prekurat.

“Gjendja për momentin ka filluar të stabilizohet pak...Nga njësiti i zjarrfikësve paradite janë evakuuar rreth 20 familje, atyre u kanë dalë në ndihmë edhe qytetarët me varka private që i kanë pasur. Pasdite kemi pasur vetëm intervenime në vetura që kanë mbetur të bllokuara”, ka thënë Gruda.

Ai ka treguar se rrugët Drenas – Komoran, Drenas – Kroi i Mbretit dhe Drenas  - Guri i plakës vazhdojnë të mbesin të bllokuara për vetura të vogla.

“Për momentin ka lëvizje të rralla, disa mjete si kombi-bus apo mjete të mëdha”, tha Gruda. “Izolim total nuk mund të themi se kemi, por lëvizje të lirë nuk kemi. U kemi bërë thirrje qytetarëve përmes faqes zyrtare që të kenë kujdes e të mos dalin pa pasur nevojë të madhe”.

Gruda ka treguar se aktualisht zona më e prekur është tek transformatorët ku po intervenohet me 6 pompa, e ku kanë dalë në ndihmë edhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave dhe zjarrfikësit.

Gruda ka thënë se edhe Forca e Sigurisë së Kosovës ka ofruar ndihmë, por për momentin situata është nën kontroll.  

Ai ka treguar se dëmet janë të konsiderueshme dhe që nga nesër do të dalë Komisioni për vlerësim të dëmit nga fatkeqësitë natyrore e do të bëhet vlerësimi.

Gruda ka treguar edhe se situata me rrymë është stabilizuar, pasi për disa orë s’ka pasur rrymë në Drenas. Ai ka thënë se po përcjellet situata, por nuk beson se do të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

E kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një postim në Facebook ka bërë thirrje të mos dilet pa nevojë.

Ai ka treguar se dy grupe të Shërbimeve Publike dhe Emergjencat, Policia e Kosovës dhe AME-ja, ndodhen në terren duke u përpjekur për përmirësimin e situatës dhe duke e përcjellur atë.

"Rruga Drenas-Komoran është lehtësuar për qarkullim, aktualisht niveli i ujit ka rënë dhe është e kalueshme. Ftoj qytetarët për kujdes dhe respektim të shiritëve për ndalim të qarkullimit në disa rrugë dhe pranë urave. Falënderoj qytetarët për respektim të urdhërave të organeve kompetente dhe kontribuesit për lehtësimin e gjendjes në këto vërshime të përmasave të mëdha në komunën e Drenasit", ka shkruar Lladrovci.
 

Lexo përditësimet tjera
Vershimet

Vërshime në disa pjesë të Kosovës, apelohet për kujdes

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë...