Në tryezën e organizuar të enjten, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit u theksua operimi ilegal i hidrocentraleve edhe pas pezullimit të punës nga gjykatat. GLPS tha se në 3 vjetët e fundit është marrë intensivisht me fushën e mbrojtjes së ambientit me ç’rast ka deponuar 4 padi strategjike
Një sërë rastesh dhe padish të ngritura për hidrocentrale në gjykata me qëllim mbrojtjen e ambientit, ndonëse kanë verdiktet finale nga Supremja për pezullimin e punës, sipas hulumtuesve të Grupit për Studime Juridike dhe Politike, ato janë duke operuar ilegalisht.
Arbër Fetahu nga kjo organizatë, në kuadër të tryezës me temën “Korrupsioni në ambient: Mungesa e efikasitetit në zbatimin e vendimeve gjyqësore”, tha se i kanë deponuar katër padi strategjike për rastin e hidrocentraleve në Deçan, Shtërpcë, Kaçanik, si dhe në parkun e aventurave në Gërmi.
“Është e rëndësishme të thuhet se që nga këto 4 padi kemi vendime nga Gjykata Supreme, të cilat e pezullojnë ekzekutimin e lejeve për hidrocentralet, lejet ujore dhe mjedisore. Po ashtu për parkun e aventurave e pezullojnë lejen e Komunës së Prishtinës për ndërtim në atë pjesë derisa të vendoset rasti në merita dhe të konfirmohet ligjshmëria në këto vendime”, ka thënë Fetahu.
Elbasan Shala, zv.udhëheqës i Divizionit për Inspektim të Mbrojtjes së Mjedisit, Natyrës dhe Ujërave, ka thënë se disa vendime të nxjerra nga gjykatat nuk u kanë shkuar në Inspektorat.
“Ne si Inspektorat gjatë së kaluarës kemi pasur një... pas shumicën e lëndëve ku janë ngrit procedura kundërvajtëse në gjykatë, por ka pasur vonesë të trajtimit të lëndëve nga ana Gjykatës edhe shumica e lëndëve janë trajtuar ose nuk janë trajtuar fare”, ka thënë ai.
E aktivisti i ambientit nga organizata joqeveritare “Gjethi”, Valon Rraka, ka thënë se për ta është interesante se si një vendim i një gjykate të caktuar nuk implementohet në terren.
“Ne këtu po e shohim që ka njëfarë impotence institucionale dhe po dyshojmë se a ka kapacitete të mjaftueshme në dikastere të caktuara brenda Qeverisë, por edhe institucionet e tjera që janë pjesë e Republikës sonë”, ka thënë Rraka.
Në këtë tryezë, Prokuroria dhe Gjykata Themelore nuk morën pjesë, megjithëse ishin të ftuara.