Arbëri

Gjykimi më i madh në mungesë për krime lufte, planifikohet të nisë në qershor

Gjykimi më i madh në mungesë për krime lufte, është planifikuar të nisë më 16 qershor. Janë 53 të akuzuar, ndër të cilët edhe gjeneralë të ushtrisë jugosllave, të cilët Prokuroria Speciale i bën përgjegjës për masakrën e Mejës, në të cilën u vranë 370 civilë shqiptarë

Gjykata Themelore ka planifikuar që më 16 qershor të nisë shqyrtimi fillestar në mungesë për 53 të akuzuar për masakrën e Mejës.

E dhëna për gjykimin më të madh në mungesë për krime lufte, është bërë e ditur në ftesën e publikuar me aktakuzë, në uebfaqen e Prokurorisë Speciale.

I akuzuari numër një për masakrën më të madhe që e përjetoi Kosova gjatë luftës është Momir Stojanoviq, i cili në kohën e këtij krimi ishte shef i Departamentit të Sigurisë në Korpusin e Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Stojanoviq pati rol udhëheqës. Në të theksohet se ai dhe katër të tjerë u mblodhën për një takim të fshehtë në një shtëpi private në Gjakovë, ku morën pjesë udhëheqësit e formacioneve ushtarake, policore dhe të sigurimit shtetëror të ish-Jugosllavisë.

“Me pretekstin e pastrimit të terrenit nga forcat e UÇK-së, ata krijuan planin e spastrimit etnik të popullsisë shqiptare të ashtuquajtur ‘Reka e Keqe’ në zonën e Caragojit ku planifikuan vrasjen e mbi 100 personave dhe djegien e të gjitha shtëpive në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e pesë (5) policëve nga UÇK”, thuhet në aktakuzën e Speciales.

Stojanoviq, tash gjeneral në pension, gjatë viteve 2012-2014 ka qenë deputet i Kuvendit të Serbisë nga radhët e SNS-së që e themeloi presidenti i tashëm serb, Aleksandar Vuçiq. 

Ky i akuzuar për krime lufte udhëheq subjektin politik Këshilli Kombëtar Serb për Kosovën (SNV). Në shkurt të këtij viti, në një komunikatë të përbashkët me dy subjekte të tjera ekstremiste, u shpreh pakënaqësi se presidenti i Serbisë çoi njerëz të patrajnuar për sulmin në Banjskë.

I akuzuar është edhe Dragan Zhivanoviq, që në luftë ka qenë komandant i Brigadës 125 të Motorizuar të Armatës Jugosllave. Ndaj tij ka pasur hetim edhe në Serbi lidhur me masakrën e Qyshkut.

Megjithatë, Prokuroria Publike për Krime Lufte ka mbyllur hetimin, veprim që ka nxitur kritikë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi.

Në aktakuzën 108-faqëshe është edhe emri i Franko Simatoviqit, i njohur si “Frenki”. Ai u dënua me 12 vjet burgim nga Apeli i Tribunalit për Ish-Jugosllavi, për spastrim etnik ndaj myslimanëve e kroatëve në Bosanski Shamac të Bosnjë-Hercegovinës. Që nga viti 2023 ai ndodhet në Serbi pasi e ka përfunduar dënimin dhe ka përfituar lirim të parakohshëm. Gjatë luftës, Simatoviq ka pasur pozitën e shefit të Njësive për Operacione Speciale (JSO).

Prokuroria ka propozuar që në gjykatore të dëgjohen 43 nga 207 dëshmitarët e intervistuar. Tre nga ta kanë qenë dëshmitarë të mbrojtur në Tribunalin e Hagës.

Të akuzuar, krahas 50 serbëve, janë edhe tre shqiptarë si pjesëmarrës në masakër krah forcave serbe: Muharrem Ibraj, ish-pjesëtar i mbrojtjes territoriale, Smajl Beqiri, ish-polic, si dhe Mihill Abazi, ish-polic dhe ish-pjesëtar i mbrojtjes territoriale. 

Për masakrën e Mejës në të cilën u vranë 370 civilë shqiptarë, hetimi nisi më 2013, në kohën kur sektori i drejtësisë udhëhiqej nga EULEX-i. Ai u ndërpre disa herë. Edhe aktakuza e Prokurorisë Speciale u ndryshua, shkaku që Gjykata Themelore në Prishtinë e ktheu mbrapsht atë për plotësim.