Arbëri

“Gjykatat kanë përmirësuar transparencën”

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK-së), Nehat Idrizi, sipas një kumtese nga KGJK, ka thënë se gjykatat e Kosovës kanë arritur përparime të mëdha në zbatimin e publikimin e aktgjykimeve të gjykatave dhe se përmirësimi i transparencës së sistemit gjyqësor është identifikuar si prioritet i KGjK-së, transmeton kp .

Sipas kumtesës, kryetarët e gjykatave dhe stafi i gjykatave kanë ndërmarrë hapa për të përmirësuar transparencën duke rritur ndjeshëm numrin e aktgjykimeve të gjykatave të publikuara në ueb faqet e gjykatave.

Në mars të vitit 2017, kanë rezultuar më shumë se, nëntëqind (900) aktgjykime të publikuara në portalin e gjyqësorit në internet, duke shënuar një rritje të madhe nga tetëdhjetë (80) aktgjykime që ishin të publikuara në tetor të vitit 2016. Deri në dhjetor të vitit 2016 numri i aktgjykimeve të publikuara është rritur me rreth treqind e pesëdhjetë (350) që paraqet rritje mbi 300%, thotë kumtesa.

Gjatë vitit 2016, KGjK-ja, ka themeluar kornizën ligjore për zbatimin e obligimeve për publikimin e aktgjykimeve duke miratuar një udhëzim administrativ mbi publikimin e aktgjykimeve përfundimtare – që paraqet udhëzimet specifike sa i përket anonimizimit dhe publikimit te aktgjykimeve. Gjithashtu, gjate vitit 2016, Kryetarët e gjykatave kanë identifikuar stafin përgjegjës për përgatitjen e aktgjykimeve për publikim në ueb faqet e gjykatave.

Sipas kryesuesit të KGjK-së, gjatë muajve të kaluar kryetarët e gjykatave dhe stafi i përfshirë në procesin e publikimit të aktgjykimeve, kanë bashkëpunuar me stafin e KGJK-së dhe stafin e Projektit të USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në Kosovë, për të identifikuar metodat për përmirësimin e procedurave për publikimin e aktgjykimeve.