Arbëri

Gjykata s’e pa rrezikun e lënies në liri të një recidivisti, ai plagosi dy persona

Ndryshe nga ajo çka e thotë Kodi i Procedurës Penale, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka interpretuar plotësimin e kushteve për lirimin nga paraburgimi të një recidivisti. Leotrim Latifi, i përfshirë në grabitjen dhe plagosjen në argjendari në Prizren, ishte liruar muaj me parë nga paraburgimi. Megjithatë një nga kushtet kryesore që një person mbahet në paraburgim është rreziku i përsëritjes së veprës penale, e Latfi është i akuzuar e edhe i dënuar disa herë për vepra penale të njëjta

Një nga kushtet që personat e dyshuar ose akuzuar për vepra penale mbahen në paraburgim është rreziku nga përsëritja e veprës se njëjtë penale.

Por, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar 6 muaj më parë Leutrim Latifin, një person me histori të gjatë të grabitjeve.

E në liri Latifi ka bërë pikërisht atë që e sheh si rrezik Kodi i Procedurës Penale.

Ai së bashku me Ibrahim Qadrakun dyshohet se janë të përfshirë në një grabitje në Prizren, e që gjatë grabitjes edhe i kanë plagosur pronarët e biznesit.

Të dy, siç ka mësuar KOHA, janë njoftuar në burg.

Kundër Latifit 3 vjet me parë kishte urdhërarrest ndërkombëtar. Ai ishte ekstraduar nga Mali i Zi.

Por një përgjigje kontradiktore ka dhënë Gjykata Themelore në Prishtinë. Dy paragrafë të përgjigjes bien ndesh njëri me tjetrin.

Fillimisht ky institucion thotë se për këtë të akuzuar, për të cilin është duke vazhduar gjykimi për grabitje, kanë pushuar arsyet e mbajtjes në paraburgim.

"Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda në përbërje nga trupi gjykues prej tre gjyqtarëve profesionist, me datë 26.03.2021 kanë marrë vendim dhe të akuzuarve L.L., E.SH. dhe K.SH. iu është ndërprerë masa e paraburgimit dhe është urdhëruar masa, Paraqitja në stacionin policor, pasi që trupi gjykues ka vlerësuar se kanë pushuar shkaqet për mbajtjen në paraburgim për të akuzuarit në fjalë. Në këtë çështje penale seancat gjyqësore janë zhvilluar dhe i akuzuari L.L. çdoherë ka qenë i rregullt në seancat gjyqësore, deri në seancën e djeshme ku i njëjti nuk është paraqitur, rasti është në procedurë e sipër". 

E në pyetjen tjetër, e njëjta gjykatë ka renditur historinë e pasur kriminale të këtij personi.

"Ju njoftojmë se i akuzuari L.L është i njohur për gjykatën, i njëjti ka pasur disa aktakuza ndër vite për vepra penale të ndryshme si vjedhje e rëndë, grabitje, lëndime të rënda, lëndime të lehta etj., prej tyre disa raste janë të përfunduara, ndërsa disa janë në procedurë".

E Kodi i Procedurës Penale e rendit si kusht të tretë të mbajtjes në paraburgim rrezikun që i akuzuari ta përsërisë veprën penale nëse lirohet.

Kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e se enjtes ka folur për këtë grabitje.

Dy persona, babë e bir, kanë mbetur të plagosur pasditen e së hënës në Prizren, si pasojë e të shtënave në argjendarinë e tyre, nga tre persona të cilët kishin hyrë për të grabitur.

Të dyshuarit nuk kishin arritur ta kryenin grabitjen e më pas janë arrestuar nga Policia e Kosovës.