Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjuriq: Jemi një hap afër izolimit ndërkombëtar të Kosovës

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq, ka thënë se Serbia, me performancën e delegacionit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është një hap afër izolimit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjuriq, në një intervistë për “Veçernje Novosti” të mërkurën, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me performancën e tij në KS të OKB-së të enjten, “para së gjithash duke paraqitur makinacionet e veta dhe konstruksionet e rrejshme të realitetit, tani dhe mbarë botës i ka treguar fytyrën e tij të vërtetë”.

“Ne kemi të gjitha arsyet për të qenë krenarë për fjalimin e presidentit Vuçiq para forumit më të rëndësishëm të OKB-së, sepse ishte fjalimi i tij ai që ndezi alarmin e kuq edhe për përfaqësuesit e anëtarëve të OKB-së që njohin të ashtuquajturën Kosovë – pra jo vetëm përfaqësuesit e vendeve që nuk e njohin – u deklaruan hapur për mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe kështu u rreshtuan në anën e Serbisë”, ka thënë Gjuriq.

Gjuriqi pret që në periudhën e afërt të shohë gjëra konkrete, siç thotë ai, dënimin e Kosovës dhe Kurtit përmes mekanizmave të gjerë të sanksioneve.

Ai vlerësoi se është shumë domethënëse që një numër kaq i madh i anëtarëve të OKB-së, me kërkesë të Serbisë, “iu përgjigjën ftesës dhe morën pjesë në diskutim, duke shprehur qëndrim negativ ndaj veprimeve të palës prishtinase”.

“Si dokument zyrtar i organit të lartë të OKB-së, Rezoluta 1244 nuk mund të kontestohet kurrë, sepse ajo u miratua nga anëtarët e OKB-së si organizata më e rëndësishme ndërkombëtare. Ne u jemi mirënjohës miqve tanë tradicionalë (Rusisë dhe Kinës) , si dhe shumë vendeve të tjera që në fjalimet e tyre bënë thirrje për respektimin e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244”, ka thënë Gjuriq.

Edhe Gjuriq pretendon se serbët në Kosovë përballen me margjinalizim Arbëri Gjuriq pretendon se serbët në Kosovë përballen me margjinalizim

Ai ka thënë se presidenti i Serbisë ka kthyer çështjen e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare.

“Ne patëm mundësinë të dëgjojmë shqetësimin serioz të 13 nga 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të vendimit të fundit të Kurtit për ndalimin e dinarit, si dhe dënimin e kësaj lëvizjeje nga katër nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka shtuar ai.

Gjuriq pritet të largohet nga pozita e ambasadorit të Serbisë në SHBA, pasi pritet të emërohet ministër i Jashtëm.