Arbëri

Gjuha denigruese, pasqyrim i mendësisë së rrënjosur në shoqëri, thonë sociologët

Një ditë pas deklaratave denigruese të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndaj ish-deputetes së Vetëvendosjes, Adriana Matoshi, sociologët theksuan se përdorimi i gjuhës së ashpër nuk kufizohet vetëm në fushën politike. Sipas tyre, ajo është e rrënjosur në jetën e përditshme, dhe tregon mentalitetin e shoqërisë

Deklarata e një dite më parë e kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, për ish-deputeten Adriana Matoshi ka hapur diskutim për shtrirjen e komunikimit ofendues në shoqëri.

Sociologët theksojnë se gjuha e ashpër e reflektuar një ditë më parë në skenën politike, shpreh mentalitet të gjerë shoqëror.

Sociologu Endrit Temaj thotë se diskursi nuk është rastësor.

“Kjo pjesë e diskursit reflekton dy aspekte shoqërore: momentalisht reflekton pjesën e kulturës, mentalitetit se si perceptohet gruaja, gruaja në lidership, gruaja në politikë dhe në pozita kështu të rëndësishme dhe kjo është pjesë e ndërtimit kështu kulturor, patriarkal, ndërkaq në anën tjetër kjo pjesë e diskursit reflekton edhe një pjesë të tensionit dhe mbipolarizimit të shoqërisë”, ka thënë Temaj. 

Edhe sociologu Fadil Maloku thotë se gjuha ofenduese ka shtrirje edhe në jetën e përditshme. 

“Gjuha e egërsuar apo shtimi i intensitetit të përdorimit të gjuhës, po themi kushtimisht të egërsuar, nuk është një standard i cili është i tanishëm. E ka një histori të veten dhe historia e gjuhës së ashpërsuar apo të egërsuar pa dyshim që mund të lidhet me ngërçin i cili është krijuar”, ka vlerësuar Maloku. 

Sociologu Temaj thekson se kur gjuha e ashpër legjitimohet nga figura publike dhe politike, ajo ndikon drejtpërdrejt te sjellja e qytetarëve. 

“Nëse këto modele, këto figura politike, publike e legjitimojnë diçka të tillë, atëherë normalisht justifikimi i veprimeve është shumë më i lehtë edhe tek ata njerëz që i kanë këto modele si model të tyre. Prandaj veprimin e tyre mund ta mbështesin duke justifikuar në këto veprime”. 

E Avokati i Popullit, Naim Qelaj, duke iu referuar një hulumtimi të vitit 2024 mbi komentet në rrjetet sociale, tha se shoqëria ndikohet shumë nga figura publike. 

“Na ka dalë që çdo i teti koment ka qenë me gjuhë të urrejtjes. Pra efekti dhe ndikimi që ka fjalë publike e atyre që kanë ndikim dhe kanë peshë në publik është tepër i madh dhe këtë asnjëherë nuk duhet me e përdor si fuqi politike ose armë për të shkaktuar polarizim të skajshëm brenda shoqërisë”, është shprehur Çelaj. 

Ndërkaq, sociologu Maloku thotë se përdorimi i kësaj gjuhe në publik tregon mungesë të emancipimit shoqëror.

“Fakti dhe akti që është shtrirë, është bërë shumëdimensional. Kjo gjuhë dhe kjo egërsi, kisha me thënë, kjo në fakt dëshmon që ne ende nuk jemi një shoqëri që ka një shkallë të caktuar të emancipimit”, ka theksuar Maloku. 

Një ditë më parë, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, tha se niveli i ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, është sikur të dalë prej një shtëpie publike e jo si të ishte deputete. Kjo nxiti reagimin e organizatave që mbrojnë të drejtat e grave, dhe u cilësua si gjuhë seksiste.