Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjuetia për mbrojtjen e faunës së egër

Atmosfera e takimeve të prindit të tij me shokët dhe familjarët gjuetarë është bërë sebep që Sedat Krasniqi nga Prizreni, vite më parë, të trashëgojë pasionin për gjueti. Tani janë bërë më shumë se tri dekada që prejse Krasniqi merret me këtë aktivitet, të cilin ai e quan sport fisnik. Përgjatë këtij historiku, ai është ballafaquar me raste të ndryshme dhe si pjesë e kryesisë së shoqatës së gjahtarëve “Sharri” bashkë me kolegët e tjerë përpiqet që gjuetia në territorin e Prizrenit të realizohet sipas legjislacionit dhe me menaxhim të duhur.

“Personalisht gjuetinë e kam trashëguar prej familjes. Babai im ka qenë gjuetar. Jam brezi i dytë në familjen tonë, që merrem me gjueti prej viteve 1988/1989. Takimet apo ndejat e atëhershme, si dhe vizitat e familjarëve, duke qenë se kemi pasur gjuetarë në mesin e tyre, më kanë shtyrë që të merrem me këtë sport fisnik”, ka thënë Krasniqi.

Ai me profesion është profesor i kriminalistikës. Por që nga vera e vitit 2018, bashkë me kryetarin Erman Fusha dhe nënkryetarin Nexhmedin Hasani, përbëjnë kryesinë e shoqatës së gjahtarëve “Sharri”, ku Krasniqi kryen detyrën e sekretarit.

“Gjuetia është sport fisnik, sepse në rend të parë duhet ta kultivojmë e ta mbrojmë faunën e egër. Me aktivitetet e ndryshme të shoqatës sonë dhe me seksionet e saj, kemi qenë pjesë e reduktimit të faunës së egër, konform numrit të shtimit të tyre”, ka deklaruar Krasniqi, duke shtuar se kjo shoqatë daton nga viti 1919 dhe se përgjatë kësaj periudhe u ka rezistuar kohërave dhe situatave të ndryshme. Aktualisht, sipas tij, numëron afro 2.400 anëtarë megjithëse vetëm një numër i vogël janë aktivë.

Përgjatë aktivitetit si gjuetar i kësaj shoqate, ai me shokët janë ballafaquar me raste, por edhe sfida të ndryshme. Kësisoj rrëfen për një rast të pazakontë që iu ka ndodhur në grup, vite më parë.

“Kemi qenë një grup i gjahtarëve të shoqatës dhe njëri prej shokëve tanë gjuetarë shumëvjeçarë, i licencuar dhe i disiplinuar, është sulmuar nga derri i egër. Me gjasë derri i egër ka qenë i plagosur në ndonjë vend. Kolegu gjuetar në pozicionin e vet që ka qenë, në atë terren, nuk e ka vërejtur dhe në një farë forme është sulmuar nga derri i egër. Për fat, kolegu gjuetar ka pësuar lëndime të lehta, gërvishtje të lehta, sepse derri i egër kryesisht vazhdon drejtimin. Derri i egër vetëm e ka prekur personin në fjalë dhe ai ka rënë në tokë. Ky rast neve na ka inkurajuar që të jemi më syçelë dhe të jemi më vigjilentë e më stabilë gjatë gjuetisë”, ka theksuar Krasniqi.

Kaprolli i lënduar

Por ai tregon se ka raste kur bashkë me kolegët nga shoqata u kanë dalë edhe në ndihmë kafshëve të egra.

“Vitin e shkuar, Policia e Kosovës na ka ftuar për një rast që kishte të bënte me një kaproll. Kaprolli ka qenë i lënduar në këmbën e majtë. Këmba e kaprollit ka qenë pothuajse e amputuar, vetëm lëkura e mbante. Me grupin tonë shkuam në Stacionin Policor në Vërmicë, ku policët e kishin vendosur kaprollin në një vend të sigurt. Ekipi ynë, që brenda vetes ka edhe veterinarin, ka ofruar ndihmën e duhur. Kaprolli është stabilizuar, e kemi marrë nga Stacioni i Policisë dhe me procedurat administrative e kemi dorëzuar në një vend të sigurt, në koordinim me autoritetet përkatëse. Si rrjedhojë, kaprolli ka vazhduar rrugën drejt parkut kombëtar ‘Blinaja’”, ka thënë Krasniqi.

Ai rrëfen se si anëtarët e shoqatës bashkë me autoritetet përkatëse janë angazhuar edhe në pastrimin e kurtheve të vendosura për kafshët e egra në zonën kufitare me Shqipërinë.

“Gjuetarët kanë kërkuar ndihmë për marrjen e masave për eliminimin e kurtheve të vendosura në zonat e caktuara nga personat e pandërgjegjshëm. Kemi formuar grupin dhe kemi dalë në terren, bëhej fjalë për zonën në Vërmicë dhe më gjerë. Me ndihmën e banorëve dhe komunitetin e gjuetarëve kemi hasur në një situatë të paparë ndonjëherë më parë. Kanë qenë të vendosura kurthe të ndryshme, prej materialeve të ndryshme, sa që po të kalonin egërsira ose qeni i gjuetisë do të ishte e pamundur që të mos binte në kurth. Kemi ndërmarrë veprime adekuate, kemi njoftuar Policinë dhe kemi vazhduar me largimin e tyre. Kemi larguar rreth 25 kurthe”, ka thënë Krasniqi. Shton se këto kurthe ndodhen në shoqatë si dëshmi. “Ka ende vende ku nuk mund të depërtojmë për shkak të terreneve të vështira. Kemi informata e kërkesa nga gjuetarët se në zonën kufitare ka edhe disa vende me kurthe”, thekson ai.

Sulmi i ariut

Një rast tjetër që veçon Krasniqi ka qenë angazhimi i shoqatës në bashkëpunim me autoritetet në përkrahje të komunitetit të fshatit Pouskë të Prizrenit pas sulmeve të ariut në bagëti, në prill të vitit të shkuar. “Bëhej fjalë për sulm të ariut në fshatin Pouskë, ku patën pësuar delet e blegtorëve. Kemi dalë në terren me tri grupe, disa ditë nga 24 orë kemi vëzhguar, bashkë me zyrtarët e parkut nacional “Sharri” dhe të Policisë së Kosovës. Është bërë fotografimi i arinjve që janë në atë terren. Janë identifikuar vendet ku qëndrojnë arinjtë dhe kah lëvizin. Vendi ku qëndronin nga banorët lokalë quhej ‘Lugina e arinjve’, që le përshtypjen se në vazhdimësi ka pasur arinj në këtë zonë, por që më parë nuk janë regjistruar probleme. Me veprime të përbashkëta është arritur që të stabilizohet gjendja në këtë zonë”, ka thënë Krasniqi, teksa ka shtuar se shoqata posedon pajisje teknike si kamera për vëzhgim, por edhe dronin për incizim nga distanca, që përdoren sipas nevojës.

Ka përmendur edhe asistimin që u ofrohet organeve të rendit dhe të hetuesisë. Sipas Krasniqit, kohë më parë, dy gjuetarë ilegalë nga Mamusha kalojnë në territorin e Prizrenit dhe e vrasin një lepur. “Policia e ndalon njërin prej tyre. Prej neve, si shoqatë, kërkon ndihmë rreth evidencës se a janë gjuetarë të shoqatës sonë. Duke qenë se nuk kanë qenë në evidencën tonë, ndaj tyre zbatohen procedurat ligjore dhe gjobiten me 800 euro. Ky ka qenë një veprim i duhur për parandalimin e aktivitetit ilegal të gjuetisë”, ka pohuar Krasniqi.

Sipas tij, aktivitetet ilegale të gjuetisë paraqesin sfidë. Gjithashtu, ka theksuar se vendgjahishtet u takojnë vetëm gjuetarëve, që i respektojnë legjislacionin dhe kodin e tyre, me ç’rast duhet të jenë të kujdesshëm në shtimin e numrit, si dhe reduktimin e faunës së egër sipas legjislacionit në fuqi. Për këtë arsye pohon se pas kuvendit zgjedhor të shoqatës në vitin 2018, kryesia e re është mobilizuar për identifikimin e problemeve kryesore në aspektin e gjuetisë, marrjen e masave për eliminimin e dukurive negative, bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese dhe marrjen e masave ndaj gjuetarëve ilegalë.

Menaxhimi i vendgjahishteve

Ai thekson se vendgjahishtet në Prizren nuk kanë qenë në menaxhim që prej pasluftës. Sipas tij, vjet me vendim të Komunës është ndaluar gjuetia në Prizren, ani pse Ministria e ka hapur sezonin e gjuetisë. “Pavarësisht vendimit të Ministrisë, është respektuar vendimi i Komunës së Prizrenit dhe në vitin 2019 nuk është zhvilluar aktiviteti i gjuetisë”, ka deklaruar Krasniqi.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit, Egzon Elshani, ka bërë të ditur se organet komunale në dy vjetët e kaluar kanë ndaluar gjuetinë, pasi që asnjë subjekt nuk posedon kontratë për menaxhimin e vendgjuetive. “Prandaj, kemi kërkuar nga shoqatat e gjuetarët që të vetëpërmbahen dhe t’i respektojnë dispozitat ligjore në fuqi”, ka thënë Elshani. Sipas tij, Komuna është duke i zhvilluar procedurat e tenderimit për vendgjuetitë. “Me vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit dhe me miratimin e MPBZHRsë janë rithemeluar tri vendgjueti të përbashkëta. Arsyeja e rithemelimit është zgjerimi i PK “Sharri”. Procesi i themelimit të vendgjuetive është në fazën tenderuese”, ka deklaruar Elshani. Ai pohon se gjuetia ilegale është e pranishme vetëm në raste të rralla në territorin e Komunës së Prizrenit, teksa ka konfirmuar se më herët ka pasur raste të vendosjes se kurtheve për kapjen e kafshëve të egra në zonën kufitare me Shqipërinë dhe se ato janë eliminuar nga shërbimi teknik i autoritetit pyjor komunal në Prizren.

Artikuj të ngjashëm