Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjinekologu Muhaxhiri: Familjet kosovare nuk duhet të zvogëlohen

Problemet me infertilitetin kanë shënuar rritje dhe kjo nuk po ndodhë vetëm me gratë, por edhe me burrat, kështu tha gjinekologu Afrim Muhaxhiri, në emisionin "Me Kast" në Glam Radio dhe KTV.

"Çdo ditë e më shumë çiftet janë duke u vetëdijesuar që problemet me infertilitetin janë 50-50. Deri tash problemet e burrave janë anashkaluar dhe është tentuar të fajësohej gruaja, madje në klinikën tonë problemi mashkullor është i shprehur 76%, pra faktori mashkullor po e tejkalon atë femëror", tha Muhaxhiri.

Muhaxhiri tha se shqetësuese mbetet fakti që në Kosovë ka rënë ndjeshëm numri i lindjeve, duke ndikuar kështu në tkurrjen e kombit pas disa vitesh.

"Unë mendoj se ka ndryshuar mënyra e jetesës, problem është se të rinjtë shohin rrugë për ta lëshuar Kosovën, në shkolla kemi më pak nxënës, dikur klasa ka qenë me 45 nxënës, sot janë nga 20 ose më pak. Poashtu problem është fakti që shteti nuk i rimburson pacientët që i nënshtrohen procedurave të frytnimit të asistuar mjekësor, ata detyrohen vetë me e ble edhe terapinë", tha Muhaxhiri.

I pyetur nga moderatorja Paulina Nushi Muhaxhiri se kur është koha ideale për shtatzëni të shëndetshme te një grua, gjinekologu tha se kjo duhet të ndodhë në të njëzetat dhe se pas moshës 35-vjeçare shtatzënia është e vonshme.

Edhe Rënia e natalitetit shqetësim për Kosovën Arbëri Rënia e natalitetit shqetësim për Kosovën

"Gratë që zhvillojnë karrierë dhe e vonojnë shtatzëninë ju sugjerohet marrja e qelizave vezë nga vezoret dhe ruajtja e tyre. Në momentin që ajo grua vendosë të krijojë familje, të përdoren ato qeliza vezë", tha gjinekologu.

Muhaxhiri foli edhe për beben e parë që erdhi në jetë me metodat e frytnimit të asistuar në Kosovë, duke bërë kështu një hap drejt zhvillimeve të mëdha në fushën e trajtimit të infertilitetit.

"Në vitin 2003 kemi filluar për herë të parë me teknikat e frytnimit të asistuar mjekësor, kemi pasur fat të madh që qysh në grupin e parë të pacienteve që i kemi përgatitur kemi rezultuar me shtatzëni të suksesshme dhe beba ka lindur në vitin 2004", tha Muhaxhiri.

Sipas Muhaxhirit, fëmija i parë i lindur nga metodat e frytnimit të asistuar mjekësor tashmë ka mbushur 20 vjet dhe kohë pas kohe edhe takohen me atë dhe familjen.

Ndërsa për trendin e pjesëmarrjes së babait në procesin e lindjes, Muhaxhiri tha se kjo është veç pengesë për stafin.

"Kur përqendrohesh si me lind fëmijën, si ta trajtosh shtatzënën, prania e babës ose e një personi të tretë kishte me qenë pengesë. Di shumë raste që kur burri ka hy në sallë të lindjes ai është alivanosur dhe ne a të merremi me nënën, me fëmijën apo me babanë?" -thotë Muhaxhiri.

Edhe Sfidat e prindërve në Kosovë mes karrierës dhe planifikimit familjar SOT Sfidat e prindërve në Kosovë mes karrierës dhe planifikimit familjar

Gjinekologu kosovar tha se Kosova ka profesionistë të dëshmuar në fushën e trajtimit të infertilitetit, për sipas tij është i panevojshëm largimi nga vendi për të trajtuar këto probleme.