Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjilani nis grumbullimin e borxheve përmes përmbaruesve

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se nga kjo e mërkurë, 10 prill, do të nisë grumbullimi i borxheve përmes përmbaruesve privatë.

Lajmi u bë i ditur sot nga kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, në mbledhjen e radhës së Bordit të Drejtorëve, ku është diskutuar edhe për përgatitjet për fillimin e mësimit pas pushimit një javë.

Në këtë takim është diskutuar edhe për aksionet e Drejtorisë së Inspekcionit për lirimin e hapësirave publike nga uzurpatorët, “sikurse nuk do të ketë tolerancë as ndaj atyre që tentojnë të ndërtojnë objekte pa leje ndërtimit”.

Po ashtu, në takimin e bordit është diskutuar edhe për ruajtjen dhe kujdesin ndaj pyjeve, pasi ditëve të fundit ka pasur ndezje të zjarreve, kryesisht në malet e Karadakut, ka njoftuar kjo komunë.

Përveç tjerash, Haziri ka konfirmuar se tashmë do të fillohet me ndërtimin e 20 shtëpive për njerëzit pa kulm mbi kokë. ​