Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri në një bashkëbisedim me gazetarët sot rreth çështjes së rrugës Milot-Morinë, ka folur për protestën e dhunshme që ndodhi të shtunën në Rrugën e Kombit.
Gjiknuri dënoi protestën e dhunshme të 31 marsit në Rrugën e Kombit dhe sqaroi pse u vendos taksa prej 10 eurosh.
Sipas tij, kjo nuk ishte gjë e re, por një taksë e miratuar që në vitin 2016 dhe që ka për qëllim mirëmbajtjen e rrugës.
Ai tha se në protestë nuk ishte gjithë qyteti i Kukësit, por persona me precedentë penalë që janë të nxitur politikisht.
“Shpreh keqardhjen e thellë për dhunën barbare, në një objekt publik se pavarësisht se menaxhohet nga një koncesionar privat, rruga është publike dhe i përket shtetit shqiptar. Kjo dhunë barbare u nxit nga zjarrvënësit e Tiranës. Në protestë nuk ishte i gjithë populli i Kukësit, por ishte një grup i vogël njerëzish të motivuar politikisht, njerëz me precedentë që s’kanë lidhje me protestën dhe tarifën e rrugës.
Janë të nxitur dhe manipuluar politikisht nga ata që e kanë harruar atë çështje dhe kanë kaluar në çështje të tjera sepse synimin e kanë politik se duke mos ardhur në pushtet me votë kanë gjetur forma të tjera për të destabilizuar vendin me shpresën se do kenë mundësi të vijnë në pushtet”, u shpreh Gjiknuri.
Edhe
2018-ta, Viti i protestave në Shqipëri
Gjiknuri më tej foli edhe për një propozim siç është aboneja. “Parimi nuk ekziston. Nuk njihen tarifat lokale dhe tarifat e distancuara. Megjithatë është marrë përsipër masa lehtësuese për frekuentuesit e shpeshtë. Përdoruesve të shpeshtë do u bëhej abone me kosto më të ulët.
Kemi nisur diskutimet për të gjetur një zgjidhje për një periudhë shumë të afërt që kjo do të jetë mundësia e mundshme. Përcaktimi i tarifës do të bëhet në mënyrë të përbashkët me koncesionarin. Pastaj ai që administron rrugën do të ketë procesin e lëshimit të abonesë”, tha ministri.