Arbëri

Gjeta për themelimin e Asociacionit: Kurti po mundohet të blejë kohë deri në zgjedhje

Altin Gjeta

Politologu Altin Gjeta ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti po tenton të blejë kohë deri në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në mënyrë që sipas tij, në një mandat të radhës eventual, do të shqyrtonte themelimin e një lloj asociacioni të komunave me shumicë serbe.

Ai ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se Kurti do ta pranonte një asociacion që nuk bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

“Qeveria Kurti është e shqetësuar për rezultatet elektorale dhe në këtë kuptim, Kurti po mundohet me eufemizma të thotë se nuk i takon një kryeministri të themelojë asociacione. Kurti po mundohet të blejë kohë deri në zgjedhjet e ardhshme dhe në një rast kur do të sigurojë një mandat të ri eventual, do të ecën drejt themelimit të një forme të asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ai s’duhet të kompleksohet nga qëndrimet e dikurshme radikale, të kuptueshme deri diku”, ka thënë Gjeta.

Sipas analistit politik, Kosova nuk ka bërë asnjë lloj hapi konkret për anëtarësim në Bashkim Evropian, derisa ka shtuar se BE-ja ka mundur që Kosovën e Serbinë t’i kushtëzojë me marrëveshje të obligueshme për t’i inkuadruar në BE.

Gjeta ka potencuar se palët nuk janë të angazhuar për zbatim të marrëveshjeve.

“BE-ja kishte mundësinë që për anëtarësimin e Kosovës dhe të Serbisë t’i bindte për marrëveshje të zbatueshme dhe obligative, por integrimi i tyre varet nga stabiliteti dhe paqja në rajon...Procesi i anëtarësimit duket se është i lidhur me dialog”, ka shtuar tutje ai.

Për Raportin e Progresit, Gjeta është shprehur se për herë të parë ekziston një fjali konkrete që e kritikon Serbinë që s’ka marrë asnjë veprim ndaj agresorëve të Banjskës.

“Për herë të parë kemi një fjali konkrete për përgjegjësinë e agresorëve në Banjskë dhe si Serbia s’ka marrë ndonjë akti për t’i vendosur para drejtësisë, por e ka penguar këtë madje. Kjo ishte e dhëna më e madhe”, ka theksuar ai.