Arbëri

Gjashtë muaj pas fillimit të vaksinimit anti-COVID, nis ndërtimi i depos për vaksina

Janë bërë 6 muaj prejse ka filluar vaksinimi i qytetarëve me vaksinën anti-Covid. Mbi 50 për qind e qytetarëve tashmë kanë marrë së paku një dozë të vaksinës. Por vetëm disa ditë më parë ka filluar ndërtimi i depos, ku planifikohet të mbahen këto vaksina. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar që në të njëjtën depo do të ruhen edhe llojet e tjera të vaksinave. Llojet e tjera të barnave për sistemin publik ruhen në Ministrinë e Shëndetësisë e SHSKUK. Të dyja këto depo ndodhen në gjendje të rëndë, e Ministria nuk ka ende projekt për të investuar në to

Ministria e Shëndetësisë po synon të bëjë zgjidhje për të siguruar ruajtjen e vaksinave, por jo edhe të barnave.

Në oborrin e QKUK-së javë më parë ka filluar ndërtimi i depos së vaksinave. E roli kryesor i saj do të jetë ruajtja e vaksinave për COVID-19, ani pse tashmë më shumë se gjysma e qytetarëve janë vaksinuar.

Puna është fare në fillim. Por planifikohet që të përfundojë në vitin e ardhshëm.

Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë shpjeguar se për cilat vaksina do të shërbejë kjo depo, vlera e së cilës është rreth 800 mijë euro.

“Depoja do të ketë kapacitet të mjaftueshëm për ruajtjen e vaksinave për mbulueshmërinë me vaksinim të rregullt mbi 95% të fëmijëve nga lindja deri në moshën 19-vjeçare, për ruajtjen e vaksinave për mbulueshmëri me vaksinim kundër COVID-19 për mbi 70% të popullatës së Kosovës, si dhe varësisht nga nevojat dhe kërkesat aktuale të vaksinave sipas indikacioneve duke u bazuar në situatën epidemiologjike”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

E vaksinat ndaj COVID-19, sipas MSH-së, e kanë bërë këtë çështje prioritet, ani pse prej fillimit të vaksinimit kanë kaluar më shumë se 6 muaj.

“Sigurimi i kushteve për ruajtjen e vaksinave në kapacitete më të mëdha se përpara, është një prioritet i nivelit të lartë duke ditur se edhe vetë sigurimi i vaksinave kundër COVID-19, është proces shumë i ndërlidhur me kushtet e ruajtjes së vaksinave dhe materialeve përcjellëse”, kanë thënë nga MSH-ja.

Gjendja e dy vendeve ku mbahen barnat në tërë sistemin shëndetësor publik nuk është e mirë.

KOHA pati publikuar muaj më parë pamje të gjendjes alarmante nga depoja ku mbahen donacionet e barnat e shëndetësisë primare. Edhe barnat në QKUK mbahen në një hapësirë të improvizuar si barnatore në bodrumin e Klinikës së Gjinekologjisë.

Në asnjërin nga këto institucione, MSH-ja nuk ka plan për momentin që të investojë. Të pyetur për këtë çështje, nga ky institucion kanë thënë vetëm se “do të trajtohen sa më parë që ka mundësi”, pa dhënë asnjë detaj tjetër.

Çështja e ruajtjes se vaksinave dhe barnave është e rëndësisë së veçantë. Kjo për shkak që disa lloje të barnave duhet të ruhen në temperaturë optimale.