Dokumentari që dridhi Maqedoninë e Veriut, por që ngjalli edhe shumë interes në Kosovë, “Gjaku i prishur”, është transmetuar të enjten mbrëma në KTV.
Dokumentari është një hulumtim i kryer nga “Investigative Reporting Lab” dhe ka të bëjë me një prej klinikave më të mëdha private në Maqedoni të Veriut dhe një prej adresave më të shpeshta për pacientët kosovarë që kërkojnë shërim jashtë vendit, “Zhan Mitrev”.
Hulumtimi ka për bazë 24 raporte të qytetarëve nga Maqedonia dhe Kosova dhe ato janë verifikuar për më shumë se 24 muaj.
Melita Brezeva, familjare e pacientit që kishte vdekur në klinikën “Zhan Miltrev”, thotë se ka pasur neglizhencë profesionale në këtë klinikë. Ajo, në dokumentar tregoi se në spital u paraqitën për shkak të COVID-19, por se nga aty më pas mori bakteret që e çuan familjarin e saj në vdekje.
“Kërkoja një institucion ku mund të paraqisja se bashkëshorti nuk më vdiq prej COVID-it porse kishte vdekur nga diçka tjetër. I kemi paguar 12 mijë euro... i kishte marrë paratë me vete. Ky çmim e parashihte pakon COVID dhe në rast nevoje edhe pastrimin e gjakut (hemofiltrimi). Në fillim, trajtimi shkoi mirë. Porse diçka ndodhi ndërkohë dhe thanë se duhej pastruar gjakun. E morëm rëntgenin dhe biseduam me një pulmolog jashtë klinikës. Kishte telashe me gjakun”, tha ajo gjatë rrëfimit.
Edhe
“Eksperimente me njerëz që po vdisnin”, dokumentari për klinikën në Maqedoni ku mjekohen shumë kosovarë
Brezeva tha se raporti i fundit që iu dha thoshte se bëhej fjalë për infeksione brendaspitalore Coagulase-negative Staphylococci.
“Ndieja se më kishin gënjyer, manipuluar... ma kanë shkatërruar jetën”.
Jo vetëm ky rast. Krejt rastet që u intervistuan nga ekipi i IRL-së kishin tri gjëra të përbashkëta. Familjeve që komunikonin me personelin e spitalit u ishte thënë se familjarët e tyre ballafaqohen me së paku një baktere të rrezikshme spitalore. Por, në të gjitha rastet, bakteret nuk përmenden në fletëlëshime. E dyta është se të gjitha familjet kanë hasur probleme me transparencën e spitalit. Dhe e treta është se të gjithë pacientët kanë pasur terapi hemofiltrimi si pjesë të terapisë për COVID-in dhe të gjithë kanë besuar se kjo metodë do t’i shpëtojë.
Dokumentari flet edhe për eksperimentet me pacientët në lidhje me sëmundjen COVID-19 që janë bërë në këtë klinikë.
Gjatë dokumentarit, ekipi hulumtues dëshmoi edhe lidhjet e ngushta të pronarit të klinikës me politikën dhe se në të “gufojnë bakteret dhe infeksionet intrahospitalore”.
IRL zbuloi se “Zhan Mitrev” gjatë periudhës së pandemisë me COVID-19 nuk e ka paraqitur asnjë infeksion brendaspitalor, duke e shkelur kështu Ligjin e Mbrojtjes Shëndetësore.
IRL përveç rasteve që zbuloi për infeksionet brendaspitalore, zbuloi edhe diçka tjetër shumë interesante, testimi eksperimental klinik. Gjatë pandemisë, Zhan Mitrev i kreu së paku katër studime klinike te pacientët e tij. Njëri është për efektet pas COVID-it te pacientët e trajtuar aty dhe tri të tjerat kishin të bënin me hemofiltrimin për trajtimin e COVID-it. Nga 2020-a deri më 2021-n, pikërisht gjatë periudhës kur Nikolla Brezev ishte i shtrirë në Klinikën “Zhan Mitrev”, 35% e pacientëve që ishin pjesë e studimit, ishin infektuar në spital. Mes tyre, 13% e pacientëve u infektuan me të rrezikshmen dhe vdekjeprurësen “Acinetobacter baumannii”, me të njëjtën me të cilën u infektua edhe Nikolla Brezev, që vdiq.
Zhan Mitrev nga 2020-a deri më 2022-n nuk e raportoi asnjë infeksion të vetëm brendaspitalor.
Edhe
Sonte në KTV: Dokumentari “Gjaku i prishur” për klinikën në Maqedoni ku mjekohen shumë kosovarë
Qytetarët në asnjë çast nuk e dinin se ishin pjesë e një eksperimenti.
Përfundimi, sipas hulumtimit, është se “pacientët me COVID-19 u përdorën si derra për eksperimente dhe u ngarkuan me shumë para për pagesë pa u informuar se ishin pjesë e një eksperimenti”.