Gjakova ka përkujtuar 112 fëmijët e vrarë e të masakruar nga forcat serbe në këtë komunë gjatë luftës në Kosovë.
Kjo është bërë përmes një ekspozite ku janë vendosur fotografitë me të dhënat e fëmijëve të vrarë. Moshat e këtyre fëmijëve, që disa ranë martirë e disa dëshmorë, janë nga tre muaj e deri 18-vjeç.
Përpos martirëve, në këtë ekspozitë janë paraqitur edhe dëshmorë që, edhe pse në moshë të mitur, ishin detyruar nga ngjarjet e kohës që t’i bashkoheshin radhëve të UÇK-së për të luftuar për lirinë e vendit.
Ekspozita me titullin “112 dhimbje dhe krenari” është hapur me idenë e Shoqatës Krimet e Luftës Gjakova ’98-’99 dhe do të qëndrojë e hapur për vizitorë në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë deri nesër.
Shkëndije Hoda nga Shoqata Krimet e Luftës Gjakova ‘98-‘99 deklaroi për KosovaPress se krahas shumë të vrarëve, të masakruarve dhe të dhunuarve, forcat serbe kanë vrarë edhe 112 fëmijë në komunën e Gjakovës.
Hoda, e cila është edhe veterane e UÇK-së, Gjykatën Speciale e konsideron raciste dhe të padrejtë. Ajo thotë se kjo gjykatë krimet që i ka bërë Serbia po mundohet t’i vërë mbi supet e çlirimtarëve të Kosovës që mbrojtën atdheun dhe popullin e vet.
Ekspozita “112 dhimbje dhe krenari” u mbështet nga Drejtoria e Kulturës dhe Sportit në komunën e Gjakovës.