Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Krimet e luftës nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi për to

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën e 1 dhe 2 prillit në Gjakovë ku mbetën të vrarë 60 civilë shqiptarë.

Ai ka thënë se krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi e dënim për to.

“Kufomat në shtëpinë e Vejsave ishin krejt të karbonizuara. Unë shkova të merrja batanije në spital, por ata nuk kishin më shumë se një copë. Nëntëmbëdhjetë trupa të karbonizuar u mbështollën me një batanije. U varrosën në tre varre”, citohet një dëshmitar nga Human Rights Watch, shkruan Kurti.

Ai ka thënë se në natën mes 1 dhe 2 prillit 1999, në Lagjen e parë në Gjakovë, forcat serbe masakruan e vranë mbi 60 civilë shqiptarë. Ka shkruar se në shtëpitë e tyre, i dogjën të gjallë e të vdekur anëtarët e familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi.

Sipas Kurtit, mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç.

“Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen. Ne i përkujtojmë në secilin përvjetor për të mos i harruar kurrë. Sot përkujtojmë të vrarët në Gjakovë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, ka shkruar ai.