Kuvendi Komunal i Gjakovës e ka miratuar të martën buxhetin e kësaj komune për vitin 2022, me shumicë votash. Kanë qenë 19 vota pro draft-buxhetit të prezantuar nga qeverisja lokale, ndërkaq 15 vota ishin kundër.
Draft-buxhetin për vitin 2022 para përbërjes së re të KK të Gjakovës e ka prezantuar përfaqësuesja e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Gentiana Qurdini-Nixha, e cila ndër të tjera ka bërë me dije se Komuna e Gjakovës për vitin 2022 do të ketë në dispozicion 27 milion e 816 mijë, e 931 euro, shifër e cila e tejkalon buxhetin e këtij viti për më shumë se 1 milion e 496 mijë euro.
Ndërkohë ajo ka bërë me dije se janë mbi 8 milionë euro që parashihen për investime kapitale.
Teki Shala nga LDK ka tërhequr vëmendjen se draft-buxheti i prezantuar para Kuvendit ishte i njëjti me atë të paraqitur në shtator të këtij viti para përbërjes së vjetër të KK-së dhe i cili kishte dështuar të miratohej. Shala është ankuar për mungesë transparence në hartimin e draft-buxhetit dhe ka insistuar që draft-buxheti të kthehet në vlerat e buxhetit të miratuar nga Qeveria e Kosovës i cili tashmë është akt i kryer pasi sipas tij ato nuk përputhen.
Shala thotë se ka vërejtur se top-prioritet i Qeverisë Gjini bazuar në buxhetin që po trajtohet është asfaltimi, ndërkohë që sipas tij injorimi i premtimeve të tjera të vetë pushtetit aktual është tallje me qytetarët.
Shala është ankuar edhe se sipas tij nuk janë miratuar kërkesat e LDK-së për përfshirje në projekt-buxhet. Ai ka propozuar disa projekte për përfshirje në buxhetin komunal nëse Qeveria Gjini e dëshiron votën e LDK-së për këtë buxhet.
Ali Tafarshiku nga Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar se në draft-buxhetin e prezantuar për miratim nuk shihet asnjë reflektim nga ana e pushtetit të Gjakovës, krahasuar me draftin e njëjtë të prezantuar në shtator para përbërjes së vjetër të KK-së.
Tek investimet kapitale Tafarshiku ka thënë se ka dupllifiikme të buxhetit për projekte të njëjta në të cilat ka paraparë investime edhe Qeveria e Kosovës. Ka veçuar këtu projektet e Urës së Rogovës dhe stadiumit të qytetit dhe ka theksuar se pushtetit lokal i Gjakovës e ka për detyrë koordinimin me deputetët e kësaj komune, në interes të qytetarëve të Gjakovës.
Tek investimet kapitale, Tafarshiku ka thënë se rreth 80 për qind e mjeteve shkojnë në asfalt, derisa "fokusi i premtimeve të AAK-së ishte zhvillimi ekonomik".
Durim Halilaj, nga AAK, ish drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës ka thënë se buxheti që po shqyrtohej në KK ishte buxheti me prezantimin e të cilit partia e tij i ka fituar zgjedhjet.
"Përveç kalimit të procedurave të tjera ky draftbuxhet i ka fituar zgjedhjet", është shprehur Halilaj.
Ai ka thënë se buxhet i dupllifikuar është paraparë vetëm në dy projekte dhe atë për të përshpejtuar dinamikën e realizimit të tyre dhe ka propozuar që mjetet të parashihen në kodin e bashkëfinancimit me nivelin qendror.
Anëtarja e KK-së nga LVV, Mimoza Shala i ka kritikuar PDK-në dhe PSHDK-në të cilat sipas saj pas futjes në koalicion me AAK-në po e mbështesin të njëjtin draft-buxhet që e kishin refuzuar në shtator.
Këtë e kanë kundërshtuar anëtarët e këtyre dy partive duke u arsyetuar se ka disa ndryshime dhe se do të përfshihen edhe projekte të tyre për realizim në të ardhmen.
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini e ka pranuar se po shqyrtohej drafti i buxhetit afërsisht i njëjtë me atë të shtatorit.
"Edhe atëherë ka qenë në rregull edhe tani. Këto mjete nuk shkojnë as në ndonjë komunë tjetër, as në ndonjë shtet tjetër, as në hënë, por te qytetarët e Gjakovës", është shprehur ai.
Gjini ka folur edhe për projektet ku anëtarët e LVV-së e akuzojnë komunën për dupllifikim të buxhetit.
"Komuna e Gjakovës i ka paraparë mjetet në bazë të një paramase për urën e Rogovës, shumë mirë që Qeveria e Kosovës e ka buxhetuar një shumë prej 400 mijë eurosh, por ajo nuk kryhet me to. dhe komuna ka ndarë mjete për të dhe për shkollën e Ponoshecit, që shkojnë në kodin e bashkëfinancimit pasi do të kërkojmë që të bashkëfinancojmë që të kryhen projektet me kohë", ka tërhequr vërejtjen kryetari i Gjakovës.
Deri tek dupllifikimi i mjeteve në këto projekte ai ka thënë se ka ardhur edhe shkaku se komuna në kohën e hartimit të draft-buxhetit nuk e ka ditur shumën të cilën e parasheh Qeveria e Kosovës.
"Meqenëse janë ndarë mjete, tani mjetet tona shkojnë në kodin për bashkëfinancim me qeverinë dhe projektet kryhen më shpejtë", ka arsyetuar ai.
"Te stadiumi i qytetit, 500 mijë euro të ndara për vitin 2022 nga Qeveria e Kosovës mjaftojnë për me u kryer edhe tribuna perëndim, konstrukti i betonit, jo më shumë dhe pasi nuk parashihet me u punu më në stadium komuna detyrohet me nda mjete dhe me e përfunduar stadiumin", ka veçuar një projekt tjetër Gjini.
"Sipas paramasës ndërtimi i stadiumit të Gjakovës kushton rreth 8 milionë euro dhe me nga 500 mijë euro në vit siç parasheh të ndajë Qeveria e Kosovës duhen 16 vjet që të kryhet stadiumi", ka theksuar kryetari i komunës. "Kështu që komuna do të ndaj mjete dhe stadiumi do të kryhet shumë më shpejtë”.
Gjini e ka pranuar se asfaltimi do të jetë ndër prioritetet kryesore por ka arsyetuar se dëshiron të kryejë këtë prioritet që të fokusohet tek të tjerat.
"Pse afalt, asfalt, asfalt...dikur duhet me e kry kjo punë, po du me i kry rrugët, pothuaj të gjitha kryhen më 2022, jemi lodhë nga kërkesat për asfalktim dhe pasi të kryhen këtu do të fokusohemi në projektet tjera", është sjprehjur Gjini.
Në vërejtjen e anëtarit të KK-së nga LDK, Teki Shala se "rrugët po prishen", Gjini iu ka drejtuar atij:
"Rrugët nuk prishen po mos fol pa lidhje Teki".
"Për zhvillim ekonomik mos u tutni që s'ka me ndodhë, për 4 vjet ishim më të mirët në Kosovë në të gjitha parametrat dhe do të jemi sërish", ka spikatur Gjini.
Ai ka thënë se ka bashkëpunim të mirë me Qeverinë e Kosovës dhe është zotuar se do të ketë edhe në të ardhmen.
Kryetari Gjini dhe anëtari i AAK-së në KK, Durimi Halilaj kanë thënë se vetëm 4 nga projektet që Qeveria e Kosovës investon në Gjakovë, janë projekte të reja , ndërkaq të tjerat sipas tyre janë pagesa për punët e kryera në të kaluarën, si obligime kontraktuale.