Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërxhaliu: Dyshohet për mbetje tjera mortore në varrezat e myslimanëve në veri, gërmimet në pranverë

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka folur për gërmimet në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës. Ai ka thënë se në atë lokacion do të gërmojnë në pranverë, pasi që tani është e pamundur për shkak të kushteve atmosferike.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka informacione se në atë pjesë ka mbetje mortore.

“Menjëherë pas luftës në këtë proces kanë qenë të inkuadruar edhe tribunalet e Hagës, pastaj UNMIK-u e më vonë edhe EULEX-i dhe është punuar me shumë duar. Në pjesën e epërme mbi rrugë janë tërhequr 25 trupa kurse në pjesën e poshtme 48. Vetëm vitin e fundit janë tërhequr 6 trupa, ne do t’i qasem punës edhe në pranverë. Bajram Çerkini nga shoqata “Zëri i Prindërve” të zhdukur ka sjellë një raport të cilin e ka siguruar në forma të ndryshme dhe ka qenë i shënjuar me centimetra vendi i personave të varrosur”, ka thënë ai.

Gërxhaliu ka thënë se shoqatat e familjarëve kanë bërë shumë, porse institucionet nuk kanë ditur t’i shfrytëzojnë të dhënat që kanë poseduar këto shoqata.