Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova dhe rajoni nuk i kanë kryer detyrat e shtëpisë për t’u pranuar në Bashkimin Evropian. Në fjalimin e saj në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, Gërvalla ka thënë se s’ka arsye për ta fajësuar BE-në për mosintegrimin e rajonit.
“Me gjithë vështirësitë dhe sfidat duhet konstatuar që BE-ja na ka ofruar më të mirën që posedon - perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm të historisë evropiane. Prandaj, por mbi të gjitha për veten tonë, ne duhet të përmbushim detyrat tona: Duhet të ndërtojmë shtetin ligjor, duke përfshirë edhe të qenit të ashpër ndaj korrupsionit. Duhet të garantojmë lirinë e shtypit dhe të bëjmë reformë të vërtetë ligjore. Ne ende nuk kemi arritur aty. Dhe nuk asnjë arsye pse ta fajësojmë BE-në për gabimet tona. Askush nga ne nuk do të duhej të mashtronte veten duke thënë apo menduar që mund të hyjmë (në BE) pa i kryer punët tona”, ka thënë ajo.
Në fjalimin e saj, Gërvalla është shprehur kundër idesë së mini-shengenit rajonal. Ka thënë se kjo ide është kurth dhe kundër parimeve kryesore të BE-së.
“Do të na katapultonte në kohëra të vështira, ku njëri dominon-tjetrin. S’ka mini-shengen, është fals dhe kurth”, ka thënë ajo.