Arbëri

Gërvalla para deputetëve gjermanë: BE-ja ende pa qëndrim zyrtar ndaj Serbisë për Banjskën

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, në përmbyllje të vizitës zyrtare në Gjermani ka takuar shoqërinë civile, deputetë, diplomatë dhe gazetarët atje.

Ministrja Gërvalla në këtë takim ka folur për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës, si ai i 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e policëve të Kosovës si dhe sulmin e 24 shtatorit teksa shprehu edhe shqetësimin e saj që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të Bashkimit Evropian për aktin e hapur të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, dialogu Kosovë-Serbi, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare ishin temat e tjera, rreth të cilave Gërvalla bashkëbisedoi me të pranishmit në diskutimin e organizuar nga Fondacioni “Körber”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.