Pas 10 vjetësh zyrtarisht pjesë e politikës, Albin Kurti të hënën ia ka zgjatur dorën kundërshtarit të tij më të madh – Hashim Thaçit.
Megjithëse i shkurtër, takimit të tyre i paraprin një histori e gjatë përplasjesh e ofendimesh, që kur Thaçi ishte kryeministër i Kosovës e Vetëvendosje parti opozitare në Kuvend, raporton KTV.
Që nga papunësia, ikjet nga Kosova e deri të çështja e bisedimeve me Serbinë, Kurti vazhdimisht ka sulmuar Thaçin.
E ka quajtur bashkëpunëtor të Serbisë, tradhtar e me inteligjencë të një 5 vjeçari, e Presidenti kishte vënë në pikëpyetje këtë konferencë për mediat serbe të Kurtit nga burgu.
Në interpelancën e 2012-s kundër privatizimit të distribucionit të KEK-ut, kur ish-kryeministri Thaçi ia përmendi humbjen në zgjedhje Kurtit, kundërpërgjigja e tij ishte e ashpër.
“Ju jeni pa dinjitet prandaj s’iu ofendoj asnjëherë... Mos u zgërdhij, paçavër, hajn”, i kishte thënë Kurti mes tjerash Thaçit.
As pozita si President i Republikës së Kosovës që duhet të jetë unifikuese, nuk bën që Thaçi e Kurti të arrijnë paqe.
Përplasjet më të mëdha nisën me daljen në pah të idesë së korrigjimit të kufijve nga Presidenti Thaçi.
Në letrat e fundit, megjithatë që të dy janë treguar të përmbajtur. Kurti duke iu referuar Thaçit si President i Republikës së Kosovës e ky Kurtit si fitues i zgjedhjeve.
Për më tepër, i kanë uruar njëri – tjetrit vitin e ri 2020, që edhe solli takimin e parë institucional.