Bajram Gecaj nga LDK thotë se marrëveshja për koalicion parazgjedhor mes PDK-së dhe AAK-së e Nismës nuk ishte befasi.
Ai ka thënë se kjo dihej që nga momenti i votimit të mocionit për mosbesim të qeverisë Mustafa.
“Nuk ka qenë befasi. Kadri Veseli e ka rrëzuar këtë qeveri për një arsye të thjeshtë. Tashmë po dihet. Që nga fillimi kjo ishte konspiracion i PDK-së. Edhe mocioni. Nuk ka teori që një parti të nisë me gjashtë deputetë numrin e nënshkrimeve. Pra kjo është nismë e PDK-së që ta rrëzojnë qeverinë dhe të marrin komplet ekzekutivin, presidentin-qeveria-kryeministri”, ka thënë ai në Specialen e KTV-së për zhvillimet e fundit politike në vend.
Gecaj ka thënë se PDK hyri në koalicion me AAK-në e Nismën sepse e dinte që koalicioni i LDK-së me AKR-në dhe Alternativën do të dilte fitues në zgjedhjet e 11 qershorit.
“Ky bashkim është i natyrshëm, sepse elementet kryesore, liderët e këtyre partive ishin LPK-istë. Ky është koalicion i territ”, ka shtuar ai.