Gazetarët vazhdojnë të mbesin të pafuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të tyre, madje me mungesa esenciale brenda marrëdhënies së punës e që përkthehet në mungesë të kontratave dhe pamundësisë për të shfrytëzuar pushimin vjetor, gjë që do t’i takonte me një kontratë të rregullt, çështje kjo që rregullohet përmes ligjit të punës.
Kryeinspektori në Inspektoratin e Punës, Basri Ibrahimi në Rubikon të KTV-së ka thënë se brenda vitit 2018 kanë pasur tetë ankesa dhe për katër prej tyre janë shqiptuar gjoba.

Raporti i vitit 2016 i këtij Inspektorati gjen gazetarët në një ambient edhe më të errët, ku sipas gjetjeve të tyre, nga 1896 punëtorë të përfshirë në inspektim, 782 prej tyre nuk e kanë shfrytëzuar pushimin vjetor.
“Në vitin 2018 i kemi pasë tetë raste me ankesa të gazetarëve dhe i kemi shqiptuar katër gjoba me këto raste. Në vitin 2016 kemi gjetur një gjendje që lë shumë për të dëshiruar. Kemi gjet punëtorë pa kontrata pune, nëse një medium gjenden punëtorë pa kontrata punë, çka mund të presim prej punëtorëve që punojnë në ndërtimtari që nuk e dinë se ku duhet të kërkojnë të drejtat e tyre”, ka thënë ai.
“Nga ai inspektim janë përfshirë 1896 punëtorë dhe prej këtyre pushimin vjetor nuk e kanë shfrytëzuar 782 ose kanë pasë probleme në shfrytëzimin e pushimit vjetor”.