Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi: Vendimet e Qeverisë janë të çuditshme

Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë rreth pandemisë kanë të çuditshme.

“Në këtë periudhën e fundit Qeveria i ka ndërmarrë disa masa të çuditshme, të cilat për mua si deputet dhe PDK-në janë pa një analizë të mirëfilltë edhe pa një strategji e vizion se si po menaxhohet pandemia. Sigurisht se e vlerësojmë çdo rekomandim që vjen nga ekspertët e fushës, nga punëtorët shëndetësorë që bëjnë analiza të tilla. Megjithatë, kur shohim vendimet e Qeverisë ne na bëjnë të mendojmë se kjo Qeveri nuk e ka një vizion të qartë se si të menaxhohet pandemia”, ka thënë Gashi.

I ka përmendur rastin e fundjavës së fundit, ku shumë qytetarë janë lejuar të shkojnë jashtë vendit.

“Shembull kemi pasur fundjavën e fundit, ku Qeveria bën mbyllje në territorin e Kosovës, në anën tjetër i lë të hapur kufijtë, ku shumë qytetarë të vendit tonë kanë kaluar kufirin dhe kanë kaluar këtë fundjavë në vende të ndryshme përreth Kosovës. Me çka edhe shtrohet një pyetje e thjeshtë, cili ka qenë efekti i kësaj mbyllje nëse një pjesë e madhe e qytetarëve dalin përtej kufijve, kalojnë pushimet e fundjavës dhe kthehen pastaj në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij tani Kosova ka një problem të jashtëzakonshëm ekonomik.

“Është një krizë ekonomike që padyshim se ka rrjedhë si pasojë e pandemisë për shkak të efekteve negative që ka sjellë pandemia. Dhe në vend që edhe ato pak mjete që shpenzohen gjatë fundjavës të shpenzohen në Kosovë, ato janë shpenzuar jashtë kufijve tonë që edhe ashtu lëndohet ekonomia e vendit”, ka thënë Gashi. “Sigurisht ne jemi të shqetësuar edhe për numrin e madh të të infektuarve me COVID-19 edhe me numrin e madh të vdekjeve që po ndodhin ditëve të fundit dhe nuk jemi kundër masave që i ndërmerr qeveria, por ato të merren me një vizion, me një plan dhe me një strategji tjetër e cila do të ketë kufizime konform rregullave”.