Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi: Skenarët në veri janë përgatitur nga ekspertët si presion për pozitë më të favorshme në dialog

Ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, ka thënë se të gjithë skenarët që po shihen së fundmi në veri të Kosovës, janë përgatitur nga ekspertë, duke përfshirë edhe rusë.

I ftuar të hënën në emisionin “60 Minuta” në KTV, Gashi ka thënë se këta skenarë tashmë po gjejnë zbatim pas vlerësimit të Qeverisë së Serbisë, e cila mendon se është koha e duhur për të bërë presion në mënyrë që të krijohet një pozitë më e favorshme në dialogun Kosovë-Serbi.

Ai më tej ka thënë se institucionet ndërkombëtare duhet t’i bëjnë trysni atyre që i kanë vendosur barrikadat për t’i larguar ato.

“Gjithë këto skenarë janë përgatitur nga ekspertët, ndërsa zbatimi i tyre ka ardhur në momentin kur ata vlerësojnë se është momenti i duhur që të bëhet një presion për të krijuar një pozitë më të favorshme në dialogun i cili është në proces, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Këto grupe, aktivitet që i zhvillojnë tani, i kanë zhvilluar edhe më herët, nuk janë krijuar ad-hoc por janë krijuar që pas vitit 199, gjithmonë kanë qenë aktive dhe aktivitetin e tyre e kanë forcuar edhe nga Rusia”, ka thënë ai, duke shtuar se një numër i madh i ekspertëve rusë janë në cilësinë e këshilltarëve në institucionet e Serbisë.

Sipas tij, lufta hibride që po bëhet tani është parapërgatitje për një konflikt.

“Aktualisht territorin e Kosovës, integritetin e saj dhe tërësinë territoriale në përgjithësi e ka misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. Në këtë drejtim nuk ka dilemë që Kosova nuk ka kapacitete përkundrazi kapacitetet e Kosovës për ruajtjen e integritetit janë në optimumin e mundshëm për faktin se është NATO-ja këtu”, është shprehur më tej Gashi.

Ai ka kritikuar institucionet për angazhimin e tyre sa i përket përgjegjësive ndaj Policisë së Kosovës.

Edhe Gashi: Ngjarjet e fundit në veri, në favor të agjendës së Serbisë Arbëri Gashi: Ngjarjet e fundit në veri, në favor të agjendës së Serbisë

“Sa i përket policisë, ne fatkeqësisht orientimin te ky institucion e kemi vetëm kur krijohen situata të tilla dhe që Policia e Kosovës të kryejnë detyrimet ligjore që ata kanë, ndërsa shumë pak është bërë rreth angazhimit dhe përgjegjësisë që institucionet e Kosovës kanë për ngritjen e mirëqenies së përgjithshme të pjestëtarëve të Policisë së Kosovës,. Ende nuk është zgjidhur çështja e sigurimit shëndetësor, e statusit të tyre në kuptimin social”, ka thënë ai.

Teksa, lidhur me koordinimin pushtet-opozitë për çështjet e tilla si tensionet në veri, ai ka thënë se është detyrë e qeverisë që të konsultohet me partitë opozitare para se të marrë vendime që kanë ndikim strategjik.

“Qeveria para se të marrë vendime që kanë impakt strategjik, duhet të konsultohet edhe me partitë opozitare dhe nëse i referohemi deklaratave, kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Derisa partia në pushtet nuk i konsulton, reagimet janë të pritshme”, ka thënë ai.