Publicisti Shkëlzen Gashi ka thënë se shoqëria kosovare ka nevojë për krijimin e një formacioni të ri politik me njerëz të rinj për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohet Kosova.
Gashi nuk e sheh këtë potencial te Qeveria që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Ka thënë se qeverisjen aktuale e sheh veç si tranzicion, ndërsa ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë si mundësi e mirë për t’i rrëzuar “ata që kanë sunduar për 20 vjet”.
“Ministrat e tanishëm nuk e trajtojnë buxhetin si plaçkë. Një pjesë e konsiderueshme e ministrave nuk janë fut aty me vjedh. Nime, nuk po bëjnë mirë, ndoshta edhe s’dinë me bo më mirë, por me vjedh, me plaçkit, këtë nuk po e bëjnë. Këtë qeverisje e shoh si tranzicion. Shoqëria kosovare duhet me nxjerr formacion të ri politik, që kishte me pas program, me i identifiku problemet dhe me pas ekip në zgjidhjen e këtyre problemeve. Kjo qeveri nuk e ka këtë potencial dhe nuk e kam pa kurrë si një qeveri që ka me reformu shoqërinë kosovare. E kam pa veç si mundësi të mirë këtë subjekt politik për me i rrëzu ata që kanë sundu për 20 vjet”, ka thënë Gashi në “Java Sonte Me Rronin” në KTV.
Publicisti ka thënë se kjo qeverisje nuk duhet të krahasohet me “regjimin 20-vjeçar”, por me atë që kanë premtuar e çfarë kanë realizuar.
“Nuk po bëhet mirë qysh janë mundësitë me u bë”, ka thënë ai.
Gashi është i pakënaqur me punën që është bërë në arsim në dy vjetët e Qeverisë Kurti. Është shprehur i sigurt se nuk do të ndryshojë asgjë edhe në dy vjetët e mbetura. Ai ka thënë se qeverisja aktuale është populliste, prandaj sipas tij, nuk po guxon të bëjë reforma në arsim.
Edhe
Gashi: Kurti ka shkuar në takim me LDK-në me propozime për president
“Këta janë popullistë. Këta duan me pas mbështetje gjithëpopullore. Reforma nuk të bie mbështetje. Me reformu sistemin e arsimit, krijon shumë armiq dhe mundesh me humb vota. Kjo qeverisje e ka pas shansin ideal për të bërë forma rrënjësore në shoqërinë kosovare. Kanë pasur mbi 50% të votave dhe kanë mundur që ta kalojnë çdo ligj në Kuvend”, ka shtuar Gashi.
Kritika pati edhe për ministritë e tjera, veçanërisht atë të Kulturës e Punëve të Jashtme. Por Gashi vlerësoi qasjen e kryeministrit Kurtit në raport me dialogun me Serbinë.
"One man show", ka deklaruar Gashi për Qeverinë Kurti.
-
Gashi – Kurtit: Konstituoje Kuvendin, ne t’i japim votat tona nëse s’i ke
-
Gashi: Ta konstituojmë Kuvendin, pastaj bisedimet le të vazhdojnë për Qeveri dhe president
-
Nushi: Opozita e deritanishme s’mund t’i qëndrojë përballë një politikani si Kurti
-
Kurti: Kosova për të pasur presidente të re duhet të ketë opozitë të re