Sanie Gashi-Seferi, prokurore në Prokurorinë Themelore në Pejë, ka thënë se shqetësohen kur shohin se ka rritje të veprave penale nga të miturit dhe ka bërë thirrje që të ketë më shumë kontrolle nëpër shkolla për të parandaluar dukuritë negative.
Në Pejë, këtë muaj një 16-vjeçar u arrestua nën dyshimet se po planifikonte vepra terroriste.
E Gashi-Seferi ka bërë të ditur se ditëve të fundit kanë mbajtur ligjërata në shkolla të ndryshme në Pejë, ku kanë folur për parandalimin e veprave penale dhe pasojat e tyre.
“Kemi mbajtur ligjërata për parandalimin e veprave penale që ndodhin nëpër shkolla. Ligjërata kemi mbajtur edhe para dy vjete. Kanë qenë të suksesshme. Qëllim i ligjëratave t’i njoftojmë për pasojat e këtyre veprave që ndodhin në këto shkolla”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së, duke shtuar se të miturit nuk kanë shumë njohuri për procedurat ndaj tyre nëse kryejnë ndonjë vepër penale.
Gashi-Seferi tutje ka bërë të ditur se statistikisht nuk ka ndonjë rritje të madhe të veprave penale nga të miturit, por shqetësohen edhe kur rritja është sado e vogël.
“Nëse i shikojmë statistikat, nuk ka ndonjë rritje shumë të madhe, por neve na shqetëson çdo rritje në raport të miturit. Qëllimi është të mos kemi vepra penale hiç, por është e pamundur. Na shqetëson çfarëdo rasti që ka të bëjë me të miturit. Duhet të mundohemi që një i mitur të mos bëhet recidivist. Na shqetëson fakti kur kemi numër në rritje të veprave penale nga të miturit”, ka thënë ajo.
Edhe
Prokuroria propozon masë korrektuese për 16-vjeçarin që planifikoi sulm terrorist në Pejë
Prokurorja ka thënë se prindërit luajnë rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e dukurive negative te të miturit, ndërsa ka bërë thirrje për shumë vetëdijesim nëpër shkolla.
“Duhet patjetër që përpos lëndët e caktuara për parandalimin e veprave penale, ndoshta edhe profesorët e stafi në përgjithësi të ketë ndonjë orë të caktuar 1 herë në muaj që t’ua shpjegojnë pasojat e veprave penale, të kenë kontroll më të madh te nxënësit që të parandalohen këto dukuri negative. Edhe pas përfundimit të mësimit, të ketë siguri nëpër shkolla”, ka thënë Gashi-Seferi.