(Ekonomia Online) - Avokati Tomë Gashi, beson se padia ndaj ish senatorit zviceran Dick Marty, ish – Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, Jose Pablo Baraybar- kryesues i zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore ne kuadër te UNMIKU-t, do të jetë një mundësi e mirë për zbardhjen e të vërtetës mbi dyshimet për krime lufte nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.
Ai beson se përmes kësaj padie dhe zbardhjes të së vërtetës do të kishte mundësi për zhbërjen e Gjykatës Speciale në mënyrë ligjore.
“Ne besojmë se fare lehtë mund ta argumentojmë se Dick Marty me raportin e tij, ka mashtruar Këshillin e Evropës i cili përmban trillime për të cilat kurrë s’kanë ndodhur në shtëpinë e familjes Katuçi. Dhe pastaj institucionet e Kosovës pasi të vërtetohet se gjithçka ka qenë e rrejshme besoj që do të gjenden modalitete për ta ndaluar punën e Gjykatës Speciale, por në mënyrë të ligjshme”, tha Gashi.
Gashi i cili është autorizuar nga Mersin Katuçi, i fshatit Gurë i Republikës së Shqipërisë, për të ngritur padi ndaj Dick Marty dhe të tjerëve për akuzuat se në shtëpinë e tij kanë ndodhur krime dhe heqje të organeve nga ish-ushtarët e UÇK-së, ka thënë se ka kërkuar edhe raportin e Clint Williamsonit, por që atë sipas tij, nuk e posedon askush.
“Kam kërkuar këtë dokument nga Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi, i cili është njoftuar por është kërkuar t’i drejtohem Prokurorisë Speciale të Kosovës, dhe po ashtu kam kërkuar në bazë të autorizimit të familjes raportin e Clint Williamson dhe përgjigja e Prokurorisë Speciale, kryeprokurorit Blerim Isufaj është që këta nuk e kanë raportin”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se raportin e ka kërkuar dhe nga Kryeprokurori i Gjykatës Speciale, Xhek Smith për të cilin po pret përgjigje, por thotë se nuk do të presin gjatë dhe se padia do të dorëzohet.
Edhe Kosova vazhdon të jetë epruvetë për eksperimente ndërkombëtare“Ne jemi duke e pritur sigurimin e raportit të prokurorit amerikan Williamson i cili faktikisht është një lloj kallëzimi penal. Paditë do të jenë penale dhe civile”, tha Gashi.
Të martën, Gashi ka njoftuar se në cilësinë e avokatit të Mersin Katuçit, po përgatitë kallëzim penal dhe padi civile kundër Martyt, duke shtuar edhe emrat e tjerë ndaj të cilëve do të ushtrohet padi.