Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi: Kosova të propozojë diçka që i ngjan asociacionit, në këmbim të njohjes

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Drilon Gashi, ka thënë se Kosova duhet të japë një propozim të ngjashëm me asociacionin e komunave me shumicë serbe, në këmbim të njohjes nga Serbia. Ai pret që të ketë insistim të madh për këtë temë edhe nga ndërkombëtarët.

Gashi e konsideron vizitën e emisarëve franko-gjermanë të premten në Prishtinë e Beograd si një gjë të mirë, duke thënë se qarqet perëndimore kanë rritur vëmendjen në Kosovë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

“Emisarët kanë ardhur për shumë çështje që nuk pajtohen Kosova e Serbia. Kanë ardhur me porosi të ndryshme përfshirë asociacionin. Do të ketë një insistim të madh me këtë temë, si zotimi më i madh që pritet nga Kosova. Qeveria e Kosovës duhet të jetë më proaktive në sjelljen e zgjidhjeve që i ngjajnë asaj që është dakorduar, por që nuk kanë elemente të cilat janë vlerësuar si të dëmshme nga Kushtetuta. Për diçka që i ngjan asociacionit, duhet të këmbehet me njohjen nga Serbia”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare tutje shprehet se e vetmja arsye që po pengon vullnetin e Kosovës për çështjen e asociacionit apo diçka të ngjashme me të, është fakti se krijimi i asociacionit do të ishte baras me dhënie të pushtetit për Serbinë, duke pas parasysh sipas tij, ndikim që ka Beogradi te serbët e Kosovës.

Për mostransparencën e Qeverisë për dialogut, Gashi thotë se disa procese kërkojnë të kenë më pak diskutim publik.

Edhe Gashi: Kosova ta çojë Asociacionin në Kushtetuese, të mos akuzohet si frenuese e dialogut Arbëri Gashi: Kosova ta çojë Asociacionin në Kushtetuese, të mos akuzohet si frenuese e dialogut

Ai shpreson që marrëveshja për targat do të arrihet gjatë takimeve të ardhshme.

“Temat për targat do të diskutohet para përfundimit të afatit më 31 tetor. Do të jetë e vështirë që nëse dy shtet që nuk mund të ndërmjetësojnë për targa, të arrijnë marrëveshje për njohje”, shtoi Gashi.