Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka kërkuar mbështetjen e Belgjikës në përpjekjen për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL dhe arritjen e marrëveshjes për bashkëpunimin strategjik me EUROPOL-in.
Gashi këtë e kërkoi në takimin me shefin e zyrës belge në Kosovë, Jean-Louis Servais.
Sipas njoftimit, në takim u bisedua për hapat që ka ndërmarrë Kosova në kuadër të agjendës për liberalizim të vizave, si dhe progresin e arritur në luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Ministri Gashi e vuri në dukje përkrahjen që ka dhënë shteti belg në konsolidimin e shtetit të Kosovës, respektivisht mbështetjes së institucioneve të zbatimit të ligjit. Në këtë takim ai kërkoi që kjo mbështetje e Mbretërisë së Belgjikës të vazhdojë, sidomos në përpjekjet për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL dhe arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim strategjik me EUROPOL-in”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Në njoftim theksohet se Servais premtoi përkrahjen e mëtejme të shtetit të tij, rreth përpjekjes që po bëjnë institucionet e vendit në përmbushjen e obligimeve që çojnë përpara agjendën evropiane të Kosovës, si dhe në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë.