Gjenerali Xhavit Gashi, ka thënë se ndihet i lumtur me punën e tërë ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në procesin e dërgimit të kontingjentit të FSK-së jashtë vendit.
Gashi, i cili është atasheu i parë kosovar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar në Express të KTV-së se detyrat e tij lidhen ngushtë me bashkëpunimin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowas dhe ky proces, është kryer me sukses
“Jam krenar për punën që kam bërë mirëpo edhe për punën e gjithë ushtarëve dhe gradave por edhe për punën e Institucioneve të Kosovës. Jam krenar që isha pjesë e kësaj ideje. Detyrat e mia lidhen me bashkëpunimin e FSK-së dhe gardës së Iowas. Unë kujdesem për avancimin ndërmjet Gardës së Iowas dhe FSK-së. Kam kryer aktivitete edhe të tjera të sigurisë dhe ishte privilegj t’i shërbeja vendit tim”, ka deklaruar tutje Gashi.
Ai ka potencuar se votimi pro i deputetëve të Kuvendit gjatë së hënës ishte lajm i mirë dhe sipas tij, përgatitjet për këtë proces, kishin filluar vite më parë.
“Akti solemn ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës. Përgatitjet kishin filluar shumë më herët. Kosova, si partnere në misione paqeruajtëse tregon se është e gatshme dhe e përgatitur për të shërbyer”, ka theksuar ai.
“Interesimi ynë për të shërbyer jashtë vendit si Kosovë ka filluar në vitin 2005, kur unë shërbeja. Kemi kërkuar që Kosova ta ketë një njësi apo gardë si partnere. Në atë kohë ne nuk ishim shtet dhe fillimi i këtij procesi duhej bërë sapo të zgjidheshim shtet i pavarur”, ka thënë ndër të tjera.