Arbëri

Gashi arsyeton mosshpërndarjen e pajisjeve për personat me aftësi të kufizuara: Jemi në kohë

enver gashi

Personat me paralizë ende nuk kanë marrë asnjë nga 4 mijë e 250 pajisjet që për ta i ka kontraktuar SHSKUK-ja. Produktet nuk janë shpërndarë ndonëse janë bërë një vit prej kur është lidhur kontrata në vlerë 6 milionë euro për këtë. Organizata Handikos më 2 qershor ka kërkuar veprim urgjent teksa ka thënë se procesi është mbështetur me vendime konkrete institucionale dhe buxhet të ndarë nga Qeveria.

Por, drejtori i Financave në QKUK, Enver Gashi, ka thënë se nuk ka vonesë në shpërndarje e se SHSKUK-ja është në hap me gjithçka.

“Nuk e kisha quajtur vonesë, por duke pasur parasysh udhëzimin administrativ që parasheh edhe disa kritereve, ne jemi në proces dhe pritet prej të hënës të bëhet thirrje për aplikim. Duhet të trajtohet në tërësi çështja e caktimin të listës dhe furnizimit për pajisje për ndihmë në lëvizje dhe parandalim. Ky udhëzim parasheh fazat kur duhet të blihen dhe fazën e shpërndarjes. Jemi në bazë të udhëzimit, jemi në hap”, ka thënë ai në “Konfront”.

Gashi ka arsyetuar më tej çështjen e mosshpërndarjes së pajisjeve.

“Në fund të viti 2022 është aprovuar ky udhëzim që e parasheh se do të hyjë në fuqi pas një viti. Në këtë fazë janë përgatitore para se të hynë në fuqi. Duke pasur parasysh rregulloret dhe ligjet ne jemi shku në hap edhe me udhëzimin administrativ. Pajisjet janë siguruar, janë blerë. Udhëzimi e parasheh për dy vjet të aplikohet komplet procedura. Ne jemi në hap, para 6 muajve jemi furnizuar”, përfundoi ai.


Suzana Gashi për absurdin në ligj: Personit të verbër i kërkohet patentë shofer

Suzana Gashi, drejtoreshë e Departamentit për mbrojtje kundër diskriminimit në kuadër të Zyrës së Avokatit të Popullit, ka kërkuar që të specifikohen ligjet për personat parapelgjikë, tetraplegjikë dhe për personat e verbër, pasi tha se këtyre të fundit iu ishte kërkuar të kishin patent-shofer.

Ajo ka thënë se institucioni i Avokatit të Popullit nuk është opozitë, por tregues si të përmirësohet puna e autoriteteve në Kosovë.

“Ne kemi reaguar te kodi i akcizave. Aty thotë që lirohen në bazë të ligjeve përkatëse. Ligji duhet të jetë i qartë, cili ligj është ai. Ligji për persona paraplegjikë dhe tetrapeligjkë, dhe ligj për persona të verbër. Sa më kujtohet mua, aty është kërkuar të ketë leje personi i verbër, të veturës. Është nonsense”, ka thënë Gashi.


Kosumi: Komisioni shkeli të drejtat e personave me aftësi të kufizuar - procesi i verifikimit, 1 minutë

Drejtori i Handikosit në Ferizaj, Enver Kosumi, ka thënë se Komisioni për rivlerësim të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë shpesh ka shkelur të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Kosumi ka theksuar se ky komision nuk ka qenë profesional në punën që ka pasur detyrë ta bëjë.

“Komisioni shpesh ka ditë mos me qenë kompetent apo profesional. Nuk mund t’i nënshtrohet një kontrolli dikush për 30 sekonda. Ka qenë maksimumi i krejt procedurës ka zgjatur 1 minutë dhe veçse janë maltretuar njerëzit të shkojnë. Është bërë vetëm formalisht. Ka pasur shumë raste të cilëve iu ka shkelur e drejta. Iu kanë shkelur të drejtat sepse nuk janë vlerësuar mirë, janë vlerësuar në grupin e dytë dhe kanë thënë se kanë të drejtën e ankesës por dihet si shkon në Kosovë forma e ankesës”, ka thënë ai në “Konfront”.

Kosumi ka shtuar se ky komision ka qenë edhe ofendues ndaj personave me aftësi të kufizuara.

“Po ka qenë. Kemi bë vazhdimisht ankesa për mosdinjitetin që janë trajtuar këta persona sepse është e patolerueshme as në automjet nuk janë dalë. Ka pasur raste që kanë qenë në gjendje shumë të keqe fizike dhe janë detyruar të presin në veturë deri kur kanë dalë komisioni tëe vetura”.


Suzana Gashi: Verifikimi i përsëritur i personave me aftësi të kufizuara, shkelje dinjiteti

Suzana Gashi, drejtoreshë e Departamentit për mbrojtje kundër diskriminimit në kuadër të Zyrës së Avokatit të Popullit, ka deklaruar është diskriminues procesi i përsëritur për verifikimin e personave me aftësi të kufizuara.

Ajo ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se është cenim i dinjitetit të personave me aftësi të kufizuara dhe i familjarëve të tyre që të rivlerësohen nga 3 deri në 5 vjet.

Sipas Gashit, rregullorja e kësaj çështjeje ka ndryshuar se rivlerësimi ka mbetur vetëm te një pjesë e personave.

“Ligji për persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë e parasheh me një rregullore vlerësimin dhe rivlerësimin e personave dhe deri atëherë kanë ekzistuar dy grupe. Grupi i parë janë persona me aftësi të përhershme të kufizuara që s’pritet të ketë përmirësim. Dërgimi i tyre në vlerësim çdo tri apo pesë vjet, për neve ka qenë cenim i dinjitetit të tyre dhe familjarëve pasi është një gjendje që s’pritet të ketë përmirësim. Ka një përparim, rregullorja e ka ndryshuar këtë dhe personat e grupit të parë nuk shkojnë më në vlerësim, por shkojnë vetëm të grupit të dytë”, ka thënë Gashi.


Mujku: Shpërndarja e pajisjeve është dashur të bëhet përmes Handikosit

Njohësi i çështjeve sociale, Vebi Mujku, ka deklaruar se shpërndarja e pajisjeve për personat me paralizë do të duhej të bëhej nëpërmjet organizatës së Handikosit.

Ai ka thënë të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se Handikosi është baza e informacioneve dhe e të dhënave, e edhe mbrojtjes sociale për persona me aftësi të kufizuara.

Sipas Mujkut, edhe mjetet financiare do të duhej të delegoheshin në Handikos “e përmes tij të bliheshin pajisjet”.

“Pajisjet vijnë në SHSKUK dhe ato iu shpërndahen personave me aftësi të kufizuara. Ato duhet të montohen, mirëmbahen dhe të kujdeset dikush për to. Më lehtë do të ishte që këto pajisje të dhuroheshin përmes Handikosit. Sikur të ishin pajisjet në Handikos, pasi aty e kanë punëtorinë ku i mirëmbajnë dhe i rregullojnë”, ka thënë Mujku.