Ish-kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, pas humbjes në zgjedhjet lokale, i janë futur garës për t’u bërë deputetë. E jashtë listës së kandidatëve për deputetë kanë mbetur Memli Krasniqi i PDK-së dhe Marigona Geci e Hysen Çekaj të LDK-së
Garës së 28 dhjetorit, partitë më të mëdha politike do t’i futen mesatarisht me gjysmën e kandidatëve, me të cilët garuan edhe në zgjedhjet e mbajtura në fillim të këtij viti.
Listat e kandidatëve për deputetë janë freskuar me kandidatë të rinj, derisa besimi u është dhënë pothuajse të gjithë atyre që siguruan ulëse në Kuvend në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nga 110 kandidatët për deputetë, Lëvizja Vetëvendosje ka 40 të rinj krahasuar me listën e zgjedhjeve të shkurtit.
Mes tyre, figurojnë edhe ish-kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ish-kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Naim Bardiqi, dhe ish-këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë, Egzon Azemi.
Në listë, Lëvizja Vetëvendosje ka edhe 46 nga 48 deputetët e legjislaturës së nëntë, si dhe 24 kandidatë, të cilët nuk arritën të bëhen deputetë më 9 shkurt.
Më së shumti kandidatë të rinj nga partitë e mëdha ka Partia Demokratike e Kosovës. Mes 64 sish janë edhe ish-kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ish-deputetët nga radhët e Vetëvendosjes, Eman Rrahmani e Visar Korenica.
E jashtë garës ka mbetur ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, derisa besimi u është dhënë edhe 23 kandidatëve të cilët nuk arritën të zgjidhen deputetë në legjislaturën tashmë të shpërndarë.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, jashtë listës së kandidatëve janë lënë deputetët Marigona Geci e Hysen Çekaj.
Prej 110 kandidatëve sa ka gjithsej në listë, 61 prej tyre nuk ishin pjesë e procesit të kaluar zgjedhor, në mesin e tyre edhe Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Rugova, pastaj ish-deputetja nga radhët e VV-së, Shqipe Pantina dhe ish-kandidati i LDK-së për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli.
Për dallim nga zgjedhjet e shkurtit, garës së 28 dhjetorit ndaras ia kanë mësyrë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate. Që të dyja partitë kanë përfshirë deputetët e legjislaturës së nëntë, si dhe një pjesë të kandidatëve, të cilët nuk fituan votat e mjaftueshme në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Subjektet politike kanë pasur kohë deri të dielën në mesnatë që në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve t’i dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë.
Për 120 ulëse në Kuvend, në zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas të dhënave të KQZ-së, do të garojnë 24 subjekte politike me gjithsej 1 mijë e 181 kandidatë.