Komuna e Malishevës, nuk e ka asnjë grua kandidate për kryetare. Gara për kryetar të kësaj komune do të jetë një arenë e burrave.
Nisma Socialdemokrate e ka kandiduar Ekrem Kastratin, PDK-ja, Isni Kilajn, Vetëvendosja, Alban Krasniqin, LDK-ja, Bajrush Hotin, AAK-ja, Kastriot Berishën dhe Selajdin Bytyçi, është kandidat i pavarur.
Vera Bytyçi, zyrtare për barazi gjinore në Malishevë thotë se partitë politike është dashur të kandidojnë ndonjë grua për kryetare komune.
"Ka kapacitete tek gratë e Malishevës, por partitë nuk kanë treguar gatishmëri për kandidimin e grave, mendoj se është dashur të ketë edhe gra si kandidate", ka thënë Bytyçi e cila që nga paslufta merret me çështjen e barazisë gjinore në këtë komunë.
Ekrem Kastrati kandidati i Nismës Socialdemokrate për kryetar të Malishevës ka thënë për KOHA se ka qenë përcaktimi i votës nëpër forume të partive politike ai që i ka përcaktuar kandidaturat.
"Tek gratë e Malishevës ka potencial, ka kuadro, e burime njerëzore me bollëk, por partitë përmes votës demokratike sigurisht kanë kalkuluar në forcën e tyre elektorale por gruaja do të jetë e përfaqësuar në të gjitha forumet vendimmarrëse në pushtetin lokal", ka thënë Kastrati.
Edhe
Kryetari i ri i Malishevës synon një koalicion paszgjedhor për të siguruar një pushtet stabil
Muhamet Bytyçi, njohës i zhvillimeve politike i pyetur për rastin e moskandidimit të asnjë gruaje për kryetare të Malishevës, ka përkujtuar se kjo është dukuri në shumicën e komunave.
"Partitë politike me moskandidimin e grave për kryetare të komunave tregojnë mosbesimin ndaj tyre", ka theksuar ai për KOHA. "Fatkeqësisht edhe ato parti që flasin për barazi e drejtësi kur po vjen në pyetje një pozitë për gratë, nuk po dallojnë fare nga partitë që i kemi parë në të kaluarën", është shprehur Bytyçi. “Sikurse edhe në shoqëri edhe në partitë politike të dalura nga kjo shoqëri ende gratë shihen si të pafuqishme për të fitur një garë. Partitë tona në vend që t'i prinë progresit për barazi ato janë bërë frenues të tij", ka vënë në pah ai.