Arbëri

GAP: Kryetarët e komunave për gjashtë muaj realizuan vetëm 9 për qind të premtimeve

Instituti GAP ka publikuar shkallën e përmbushjes së premtimeve zgjedhore që kryetarët e komunave i kanë dhënë në fushatën në zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar.

Sipas GAP gjatë gjashtë muajve të parë të mandatit katërvjeçarë të kryetarëve të komunave, apo në periudhën janar – qershor 2022, nga gjithsej 1816 premtime të që janë evidentuar, janë realizuar plotësisht vetëm 167 prej tyre apo 9 për qind. Gjysmë të përmbushura janë 113 premtime apo 6 për qind e 392 premtime kanë filluar apo 22 për qind. 1144 premtime nuk kanë nisur fare, apo 3 për qind.

“Numri më i madh i premtimeve të përmbushura është shënuar në fushën e shërbimeve publike, bujqësisë, arsimit, kulturës dhe atë të sportit; ndërsa, numri më i vogël është në fushën e infrastrukturës, ekonomisë dhe urbanizmit. Për dallim nga përditësimet e bëra në periudhën e njëjtë të mandateve të kaluara, në këtë mandat është shënuar rënie e trendit në përmbushjen e premtimeve në fushën e infrastrukturës, ndërsa trend i përmirësuar vërehet në fushën e bujqësisë dhe atë kulturës. Premtimet me shkallë të larta të realizimit janë premtimet që kanë të bëjnë me mirëmbajtje të rrugëve, objekteve dhe hapësirave publike, në subvencionim në fushën e bujqësisë dhe të arsimit, në heqjen ose ndryshimin e disa barrierave administrative, në publikimin e dokumenteve buxhetore dhe të prokurimit publik, në organizimin e panaireve dhe manifestimeve, në hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe vendimeve të premtuara si dhe në rritjen e përkrahjes për klubet sportive”, thuhet nga GAP.

GAP-i ka njoftuar se bën monitorimin e realizimit të premtimeve në 27 nga 38 komuna të Kosovës, ngase disa kryetarë aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore. Ndërsa komunat si Mamusha dhe dhjetë komuna të banuara me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor.

“Përmes vlerësimit të premtimeve zgjedhore, Instituti GAP ka për qëllim që t’i mbajë të përgjegjshëm kryetarët e zgjedhur për premtimet e dhëna. Vlerësimi i premtimeve bëhet në mënyrë periodike përmes bashkëpunimit me organizatat lokale”, thuhet nga GAP.