Arbëri

Fushtica: Mbeturinat në rrjedhën e lumenjve e infrastruktura ndër shkaqet e vërshimeve

Lulëzim Fushtica

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, në Komunën e Prishtinës, Lulëzim Fushtica, ka thënë se faktori njeri dhe infrastruktura e kanalizimit dhe pusetave atmosferike janë ndër shkaqet e vërshimeve në rajonin e kryeqytetit.

Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, Fushtica, ka thënë se situata në kryeqytet pas vërshimeve që kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të hënën, është përmirësuar.

“Faktori i parë është faktori njeri, ne kemi kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve posaçërisht në ruajtjen e ambientit dhe mosshkatërrimit të ekosistemit, në këtë rast hedhjen e mbeturinave si inerte si të zakonshme në rrjedhën e lumenjve dhe përroskave ... ndërsa në anën tjetër është edhe investimi që komuna është duke bërë që të përmirësojë infrastrukturën e kanalizimit dhe pusetave atmosferike, por kemi edhe rritje të ndërtimeve”, është shprehur Fushtica. 

Ai ka deklaruar se edhe vitin e kaluar, deri në muajin korrik ka pasur moti ekstrem dhe se e njëjta po përsëritet edhe këtë vit. 

Ka shtuar se janë duke punuar në përmirësim të infrastrukturës. 

“Kjo është një prej situatave të cilat i kemi pasur edhe vitin e kaluar, rrebeshe të shpejta të shiut të cilat për një kohë të shkurtër kanë një sasi të madhe të shiut e cila shkakton vërshime. Por pa marr parasysh këtë ne jemi duke punuar edhe në përmirësimin e infrastrukturës, problem që e ka përcjellë pushtetin, për këtë kemi ndarë investime që të intervenohet në disa pika”, ka deklaruar Fushtica.

Sipas tij, të hënën, probleme ka pasur në të gjitha pjesët e kryeqytetit dhe të gjitha janë evituar deri në mesditë. 

Fushtica ka theksuar se kanë pasur më shumë se 30 intervenime gjatë ditës. Ai ka deklaruar se punën ua ka vështirësuar edhe trafiku i ngarkuar.