Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) ka marrë vendim për shtyrjen e grevës së përgjithshme, të iniciuar për 21 dhjetor. Sipas njoftimit, shtyrja u bë për shkak të situatës së rëndë epidemiologjike.
“FSSHK kishte shpresuar që buxheti për vitin 2022 do të votohet me datë 22 Dhjetor 2021 andaj edhe ka kërkuar që të zhvillojë takime me Ministrin e Shëndetësisë, Ministrin e Punëve të brendshme dhe administratës, Komisioni Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale si dhe Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa, pasi që buxheti votohet sot edhe njëherë në interes të pacientëve e pezullon këtë grevë të përgjithshme”, thuhet në komunikatën e kësaj Federate.
Aty thuhet se të hënën e 20 dhjetorit do të kenë takim me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, derisa në takim do ta presin edhe kryeministrin Albin Kurti.
Gjatë këtyre takimeve FSSHK para Ministrit të Shëndetësisë dhe anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi do të shpalos edhe njëherë kërkesat për miratimin e Ligjit të Pagave dhe kërkesën për rritje të pagave prej 50% për të gjithë të punësuarit në institucione publike shëndetësore.
Në fund FSSHK me këtë vendim tregon se nuk ka tërheqje nga greva por vetëm pezullim të përkohshëm, e kjo sepse nuk dëshirojmë t’i lëmë pacientët ashtu siç po na lë neve Qeveria”, thuhet tutje.