Ministri i Financave Bedri Hamza priti sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë Didier Chabert, ku diskutuan për progresin në fushën e financave si dhe për sfidat e vendit tonë në fushën e ekonomisë.
Gjatë takimit Hamza e njoftoi Ambasadorin Chabert për trendin e të hyrave buxhetore, stabilitetin makro fiskal dhe planin për adresimin e sfidave në fushën e ekonomisë njëkohësisht edhe për planet e Ministrisë së Financave për fuqizimin e sektorit privat si bartës të rritjes ekonomike në vend, transmeton kp.
Hamza gjithashtu e falënderoi Ambasadorin Chabert për mbështetjen që shteti francez i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës përmes projekteve të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit. Me këtë rast, Hamza shprehi keqardhjen e tij për djegien e Katedrales Notre Dame, e cila ka qenë gjithmonë një pikë reference e kulturës qindravjeçare franceze.
Ndërsa, ambasadori i Francës në Kosovë Didier Chabert shprehu mbështetjen e shtetit francez në fushën e zhvillimit ekonomik dhe integrimit të Kosovës në BE.
Chabert u shpreh se shumë shpejt do të ketë marrëveshje të reja në mes të dy vendeve si rezultat i kësaj vizite.