Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ambasadori francez inkurajon ministrin Hamzaj për disiplinë financiare

Ministri i Financave Bedri Hamza priti sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin, sipas njoftimit për media, ka diskutuar për progresin dhe sfidat e vendit tonë në fushën e financave dhe ekonomisë.

Me këtë rast, ministri Bedri Hamza falënderoi ambasadorin Chabert për mbështetjen që shteti francez i ka dhënë Kosovës deri më tani përmes projekteve të cilat ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit si dhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Gjatë takimit ministri Hamza e njoftoi ambasadorin për procesin e të hyrave buxhetore, për masat e reja fiskale, për planin e adresimit të sfidave në fushën e ekonomisë, për ruajtjen e rritjes ekonomike dhe indikatorëve makro fiskal, për përkushtimin në fuqizimin e sektorit privat si bartës të rritjes ekonomike në vend si dhe përkushtimin e Ministrisë së Financave në luftimin e informalitetit.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, falënderoi ministrin për pritjen dhe shprehu mbështetjen e tij të plotë për përpjekjet e bëra për të arritur një rritje të të hyrave buxhetore prej 10 % krahasuar me vitin e kaluar dhe për t’u përmbajtur nga shpenzimet e reja që mund të ndikojnë në afat të gjatë në qëndrueshmërinë buxhetore dhe në ndëshkimin e investimeve produktive për të cilat vendi ka nevojë.

Ambasadori i Francës Didier Chabert gjithashtu diskutoi me Ministrin Bedri Hamza për mundësinë e një vizite zyrtare në Paris.